Politike

“Kjo masë edhe revokohet nesër”, avokati Matlia zbulon pse Tahiri mund të kthehet sërish në qeli: Nëse gruaja bëhet më mirë…

Ai sqaroi se lirimi i Saimir Tahirit nuk është në shkelje të ligjit, pasi ka përmbushur kushtet. Por ligji parashikon që kjo masë e lirimit mund të revokohet, dhe Tahiri mund të kthehet në burg

5 Qershor 2023, 22:05 Nga m.s
“Kjo masë edhe revokohet nesër”, avokati Matlia zbulon pse
Saimir Tahiri

TIRANË- Avokati Dorian Matlia ka treguar mbrëmjen e sotme në studion e emisionit “Të Paekspozuarit”, përse Saimir Tahiri mund të kthehet në burg. Ai sqaroi se lirimi i Saimir Tahirit nuk është në shkelje të ligjit, pasi ka përmbushur kushtet. Por ligji parashikon që kjo masë e lirimit mund të revokohet, dhe Tahiri mund të kthehet në burg. Sipas avokatit, nëse bashkëshortja e Tahirit bëhet më mirë nga gjendja shëndetësore, ai mund të kthehet sërish në burg.

“Në këtë rast nuk ka shkelje të ligjit. Ka patur më pak se 2 vite burg për të vuajtur, ka patur fëmijë të mitur nën 10-vjeç, që është kriter ligjor dhe pjesa tjetër që vërtetohet është se sa e paaftë ishte nëna e fëmijëve të tij.

Po të dalë e paaftë nga ekspertiza mjeko-ligjore, gjykata është e vendosur në një pozicion që duhet ta japë. Sipas z. Maks Haxhia kishte patur 4 ekspertë dhe gjykata nuk ka pse të mos i besojë.

Nëse ekspertët e kanë ekzagjeruar, gjykata mund të nisë një hetim dhe të shikojë nëse kemi të bëjmë me një ekspertim të rremë, por jo se ka faj gjykata.

Ligji parashikon që kjo masë mund edhe të revokohet nesër. Nëse del p.sh, që nëna e fëmijëve është më mirë, ai kthehet prapë në burg. Ai nen mund të përdoret dhe është më lehtë për rastin e z. Tahiri se për dikë që po vdes në burg, sepse në rastin e Tahirit bëhet për hir të fëmijëve, jo të tij. Pra qëllimi i ligjit është të mbrojë fëmijën, kurse ai që vuan nga një sëmundje në burg, lirohet kur burgu nuk i ofron një shërbim të tillë”, tha avokati Matlia.

 

saimir tahiri dorian matlia

Sondazh

Poll