Sport

Deri në 630 euro, për të parë Leo Messin dhe Argjentinën, në miqësoren e Pekinit…

Shikuesit do të duhet të paguajnë deri në 630 euro për të parë Lionel Messin të luajë në Pekin më 15 qershor, në ndeshjen miqësore mes Argjentinës dhe Australisë, që do të zhvillohet në Stadiumin e Punëtorëve.

2 Qershor 2023, 15:02 Nga DOSJA
Deri në 630 euro, për të parë Leo Messin dhe

KINE - Pas tre vitesh kufizime për Covid, tifozët kinezë të futbollit do të mund të ndjekin sërish ndeshjet ndërkombëtare. Ndeshja miqësore mes Australisë dhe kampionëve të botës, Argjentinës, do të zhvillohet më 15 qershor në stadiumin e rinovuar të Punëtorëve me një kapacitet prej 68 mijë shikuesish.

Organizatorët thane, se biletat për ndeshjen miqësore, ose kthimin e raundit të fundit të 16-të të Kupës së Botës, ku ‘Albiceleste’ fitoi 2-1 kundër ‘Socceroos’, do të shiten në dy pjesë më 5 dhe 8 qershor. Çmimet do të variojnë nga 580 juanë (76 euro) deri në 4800 juanë (rreth 630 euro). 

Për të shmangur rishitjen e paligjshme, blerësit duhet të japin identitetin e tyre, i cili do të kontrollohet në hyrje të stadiumit. “Nuk lejohet asnjë transferim, apo kopje e biletave”, thonë organizatorët.

Megjithatë, në platformën e shitjeve online Taobao, më e popullarizuara në Kinë, tregtarë të ndryshëm tashmë ofronin një shërbim të rezervimit të biletave, njëri prej tyre kërkonte 18.000 juanë (afërsisht 2.400 euro) për të aksesuar vendet VIP. 

Fansat kritikuan ashpër çmimet e larta të biletave të premten në rrjetin social Weibo (paga mesatare në kryeqytetin kinez është rreth 8.800 juanë ose 1.150 euro).

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll