Aktualitet

I dënuar në Itali për trafik droge, SPAK konfiskon 9 pasuritë e Raul Zenunaj

Subjekt i OFL, Raul Zenunaj me pasuri të shumta

2 Qershor 2023, 13:32 Nga m.s
I dënuar në Itali për trafik droge, SPAK konfiskon 9
Raul Zenunaj

TIRANE- SPAK ka konfiskuar pasuritë e Raul Zenunaj, i dënuar në Itali për trafik të lëndëve narkotike. Zenunaj rezulton se është duke vuajtur dënimin në një burg të Italisë, ku është ndaluar në 13 shkurt 2019. Në 4 gusht të vitit 2020, ai ishte bërë subjekt i Operacionit Forca e Ligjit.

Në vitin 2021, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë ka dhënë urdhër për sekuestrimin e pasurive të Raul Zenunajt. Në njoftimin e Prokurorisë, thuhej se organi i akuzës dyshon se të ardhurat dhe pronat me vlerë miliona euro kanë burim të paligjshëm, dhe janë përfituar si pasojë e aktivitetit kriminal të zhvilluar në shtetin italian.

Zenunaj ishte subjekt i Operacionit Forca e Ligjit, e cila trokiti në derën e tij në gusht të 2020, kur kërkoi llogari për pasurinë e ngritur. Shumë prej pronave, Zenunaj i kishte kaluar në emër të të afërmve të tij.

Njoftimi nga SPAK

Më datë 01.06.2023 në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë përfundoi gjykimi në lidhje me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për konfiskimin e pasurive të subjektit të Aktit Normativ nr. 1 datë 31.01.2020 “Për masat parandaluese në kuadër të forcimit të luftës kundër terrorizmit, krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe konsolidimit të rendit të sigurisë publike”, të ndryshuar, në lidhje me subjektin Raul Zenunaj dhe personave të lidhur me të.

Sipas konkluzioneve të dhëna nga Prokurori i Posaçme në seancat e mëparshme gjyqësore, me vendimin e datës 01.06.2023 Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka vendosur midis të tjerash konfiskimin dhe kalimin në favor të shtetit të pasurive mbi të cilat ishte vendosur sekuestro me vendimin nr.49 datë 05.01.2021 të Gjykatë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë:

1) Pasurisë së llojit “Njësi” me sipërfaqe totale 70 m², Bashkia Vlorë, e blerë nga subjekti në vitin 2012 në vlerën 6.944.000 lekë;

2) Pasurisë së llojit “Njësi” me sipërfaqe totale 50 m², Bashkia Vlorë, e blerë nga subjekti në vitin 2012 në vlerën 4.960.000 lekë;

3) Pasurisë së luajtshme automjet i markës BMW tip GM730D, në pronësi të subjektit Raul Zenunaj, e blerë nga subjekti në vitin 2014;

4) Pasurisë së llojit “Arë”, me sipërfaqe 5000 m², aktualisht në pronësi të shtetases E.S.

5) Pasurisë së llojit “Apartament”, me sipërfaqe 159 m², Bashkia Vlorë, në pronësi të shtetasit V.Z, e blerë në vitin 2010 në vlerën 8.107.092 lekë.

6) Pasurisë së llojit “Truall”, me sipërfaqe 105 m², Bashkia Vlorë, në bashkëpronësi të shtetasve V.Z dhe A.M, e blerë në vitin 2013 në vlerën 1.100.000 lekë.

7) Pasurisë së llojit “Apartament”, me sipërfaqe 171 m², Bashkia Vlorë, në bashkëpronësi, të shtetasve V.Z dhe A.M, e blerë në vitin 2013 në vlerën 10.500.000 lekë.

8) Pasurisë së paluajtshme “Shtesë 4-katëshe”, me sipërfaqe totale të 4 kateve 640 m², në bashkëpronësi të shtetasve V.Z dhe A.M, Bashkia Vlorë. Nga ekspertimi i kryer në gjykim rezulton se vlera e investimit për pasurinë “shtesë 4-katëshe” është 20.216.320 lekë.

9) Pasurisë së llojit “Bodrum”, me sipërfaqe 181 m², Lagja “Kushtrimi”, Bashkia Vlorë, në bashkëpronësi të shtetasve V.Z dhe A.M, e blerë në vitin 2013 në vlerën 7.700.000 lekë.

raul zenunaj itali trafik te lendeve narkotike

Sondazh

Poll