Bota

PDK: Kurti po rrezikon raportet e Kosovës me SHBA-në, të ndryshojë urgjentisht qasjen dhe pozicionin e tij

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në mbledhjen e sotme të Kryesisë së PDK-së, u shpreh i shqetësuar me zhvillimet e fundit në vend dhe me drejtimin e përgjithshëm që ka marrë Kosova nën drejtimin e Kryeministrit Albin Kurti.

30 Maj 2023, 19:47 Nga I.A
PDK: Kurti po rrezikon raportet e Kosovës me SHBA-në, të
Partia Demokratike e Kosovës

KOSOVË- Partia Demokratike e Kosovës është e shqetësuar me zhvillimet e fundit që e kanë sjellë Kosovën në përballje të rrezikshme me aleatët tanë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe kërkon nga Qeveria e Republikës së Kosovës që të rimendojë dhe të ndryshojë urgjentisht qasjen e saj. Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në mbledhjen e sotme të Kryesisë së PDK-së, u shpreh i shqetësuar me zhvillimet e fundit në vend dhe me drejtimin e përgjithshëm që ka marrë Kosova nën drejtimin e Kryeministrit Albin Kurti.

Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës shpreh zhgënjimin e thellë për veprimet e pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës me aleatët strategjikë të vendit tonë, që tashmë kanë filluar të rezultojnë me ndëshkime të drejtpërdrejta, pasi Kosova u përjashtua nga stërvitja më e madhe ndërkombëtare e NATO-s në rajonin e Ballkanit, “Defender Europe 2023”.

“Ky përjashtim është shenjë konkrete e përkeqësimit të raporteve të Kosovës me SHBA-në dhe NATO-s dhe është paralajmërim për pasoja të tjera, nëse Qeveria e Republikës së Kosovës nuk fillon të sillet në mënyrë të përgjegjshme”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës e dënon fuqishëm dhunën e grupeve kriminale të drejtuar kundër pjesëtarëve të KFOR-it, por edhe Policisë së Kosovës, dhe veçanërisht kundër përfaqësuesve të mediave, të cilët janë penguar dhe sulmuar në kryerjen e detyrës së tyre në shërbim të informimit të qytetarëve. Anëtarët e Kryesisë shprehën mbështetje të plotë për kryetarët e komunave të Zubin Potokut dhe Zveçanit, që vijnë nga radhët e PDK-së, të cilët me përgjegjshmëri kanë treguar gatishmëri për t’ju shërbyer të gjithë qytetarëve, pa dallim, por edhe bëjnë thirrje për rikthimin e normalitetit për të mundësuar zbatimin e mandateve të tyre.

“Edhe një herë, duke pasur parasysh peshën dhe kompleksitetin e situatës si dhe tensionet e ngritura në pjesën veriore të vendit, Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës i bën thirrje Presidentes dhe Kryeministrit që të mbledhin urgjentisht Këshillin e Sigurisë së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Si paraqitet situata në veri të Kosovës?

Qytetarët serbë kanë dalë sot sërish në protestë në veri të Kosovës për të ndaluar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në selitë e komunave në veri Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviç. Protesta ka nisur pa incidente, ndërsa KFOR dhe Policia e Kosovës kanë ngritur barrikada sigurie rreth ndërtesave shtetërore për të shmangur përshkallëzimin e situatës. Ndërkohë, kryekomunarët kanë njoftuar se për shkak të situatës, ata sot nuk do të paraqiten në zyrat e punës. KFOR ka bërë thirrje për uljen e tensioneve nga dy palët e konfliktit Kosovë-Serbi, ndërsa ka kërkuar që të mbahet përgjegjësi për ushtarët e plagosur. Ngjarja është në zhvillim.

memli krasniqi pdk tensione në veri të kosovës

Sondazh

Poll