Politike

AMF raporton te 'Ekonomia', Mete: Dëmet pezull në sigurime, në nivelin më të ulët historik

Mete bëri një pasqyrim të zhvillimeve kryesore të vitit të kaluar, si edhe paraqiti disa nga drejtimet kryesore ku do të përqendrohet veprimtaria e Autoritetit për periudhën në vazhdim.

30 Maj 2023, 11:32 Nga A.B
AMF raporton te 'Ekonomia', Mete: Dëmet pezull në sigurime,
Ervin Mete

TIRANË- Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Ervin Mete prezantoi sot në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Ekonominë dhe Financat, raportin e veprimtarisë së Autoritetit për vitin 2022. Mete bëri një pasqyrim të zhvillimeve kryesore të vitit të kaluar, si edhe paraqiti disa nga drejtimet kryesore ku do të përqendrohet veprimtaria e Autoritetit për periudhën në vazhdim.

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv theksoi se viti 2022 ka pasur zhvillime të rëndësishme në tregjet nën mbikëqyrjen e Autoritetit, si edhe në procesin e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Mete evidentoi avancimin domethënës të Autoritetit në vlerësimin e bërë nga Organizata Ndërkombëtare e Mbikëqyrësve në Sigurime (IAIS) mbi përputhshmërinë me standardet ndërkombëtare.

Sa i përket ecurisë së tregjeve nën mbikëqyrje, Mete u shpreh se në fund të vitit 2022, në tregun e sigurimeve, dëmet e paguara në numër ishin në nivelin më të lartë historik.

'Pagesat e dëmeve sollën një ulje të ndjeshme të numrit të dëmeve pezull, të cilat arritën në 13.4% të gjithë dëmeve të trajtuara nga shoqëritë e sigurimit, shifra më e ulët historike.'

Mete përmendi uljen e mëtejshme të komisioneve të ndërmjetësimit deri në një mesatare prej 16%, daljen e Byrosë së Sigurimeve nga monitorimi 10-vjeçar i Këshillit të Byrove, kryesisht si pasojë e përmirësimeve ligjore, pagesën e dëmeve Fond Kompensimi në rreth 87% të rasteve përmes siguruesit të drejtpërdrejtë me procedura më të përshpejtuara, si edhe përdorimin në rreth 23% të rasteve të dëmeve të Raportit Evropian të Aksidenteve.

'Të dhënat e muajve të parë të vitit 2023 tregojnë se fondet e investimit i janë rikthyer rritjes, pas ndikimeve të vitit të kaluar, të ardhura kryesisht si pasojë e zhvillimeve të tregjeve ndërkombëtare dhe rritjes së normës bazë të interesit. Investimet u orientuan drejt titujve të Qeverisë, ku gjatë vitit 2022 blerjet e individëve arritën në 49.6 miliardë lekë, me një rritje rekord prej 216% krahasuar me një vit më parë'

Mete përmendi disa nga drejtimet kryesore të veprimtarisë së Autoritetit përgjatë këtij viti dhe në vazhdim, bazuar edhe në strategjinë 5-vjeçare të AMF, me fokus përafrimin ligjor me kuadrin evropian, ndërmarrjen e nismave në kuadër të financave të gjelbra, avancimin e mëtejshëm në standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare në mbikëqyrje./Dosja.al

komisioni i ekonomise 30 maj 2023 ervin mete

Sondazh

Poll