Bota

Sërish tensione në Veri të Kosovës! Serbët nxjerrin armët, s'pranojnë kryekomunarët e rinj shqiptarë (Pas qetësisë erdhi STUHIA)

Në nëntor të vitit të kaluar, postet e kryetarëve të komunave në veri të Kosovës mbetën bosh kur përfaqësuesit serbë dhanë dorëheqjen nga vendet e tyre të punës.

26 Maj 2023, 14:54 Nga a.l
Sërish tensione në Veri të Kosovës! Serbët nxjerrin
Zgjedhjet ne veri te Kosovës

KOSOVË- Rinisin tensionet në veri të Kosovës. Kryetarët e rinj të komunave Zubin Patok, Leposaviç, Zveçan dhe Mitrovicë e veriut kanë marrë zyrtarisht detyrat. Izmir Zeqiri, Ilir Peci, Lulzim Hetemi dhe Erden Atiç të gjithë të partive shqiptare, për brenda pak ditësh pritet të nisin punën në zyrat e reja, ndonëse ato kanë funksionuar sipas sistemit të Serbisë. 

Shtetësia shqiptare e kryetarëve të rinj të komunave ku shumica e banorëve janë serbë është bërë shkak që sot në këto komuna të nisin sërish tensionet, ku janë ngritur sirena alarmi, të shtëna me armë zjarri dhe protesta masive. Agravimi i situatës ka rritur prezencën e policisë dhe ka pasur përplasje mes qytetarëve. Këta të fundit u kanë vënë flakën disa makinave në shenjë revolte. 

Por çfarë e shkakton këtë revoltë? 

Në nëntor të vitit të kaluar, postet e kryetarëve të komunave në veri të Kosovës mbetën bosh kur përfaqësuesit serbë dhanë dorëheqjen nga vendet e tyre të punës. Shkak është bërë mospajtimi ndaj vendimit të qeverisë në Prishtinë për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia, që u shoqëruan me incidente të njëpasnjëshme. 

Më datë 23 prill të këtij viti, u zhvilluan zgjedhjet e parakohshme për kryetarë të rinj në katër komunat me shumicë serbe, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potok. Zgjedhjet janë bojkotuar nga popullata lokale serbe dhe përfaqësuesit e listës serbe. Në zgjedhje kanë dalë 1.567 votues apo 3.47 për qind e trupit zgjedhor dhe rreth 45 mijë votuesve të regjistruar. Nga dhjetë kandidatë për postet e kryetarëve, vetëm një ishte nga komuniteti serb, pasi Lista Serbe dhe partitë tjera më të vogla bojkotuan zgjedhjet me kërkesën e Beogradit. Zgjedhjet në zonë u zhvilluan pa asnjë incident me mbikqyrjen e misionit të NATO-S ne Kosovë, KFOR.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i cilësoi zgjedhjet e parakohshme në veri si zgjedhje pushtuese, ndërsa kryeministrja serbe, Ana Bërnabiç, duke postuar disa fotografi të policëve të Kosovës pranë kontejnerëve të votimit ironizoi se këto janë imazhet që me të vërtetë përshkruajnë “sundimin e ligjit” dhe kuptimin e vërtetë të “zgjedhjeve demokratike” në Kosovë të mbështetura nga Bashkimi Evropian dhe vendet e ‘Quintit’”.

Po ashtu autoritetet në Serbi kanë kritikuar ashpër vendet kryesore perëndimore për mbështetjen e zgjedhjeve, duke theksuar se qëllimi i tyre është moszbatimi i themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, me të cilin ata kushtezojnë pjsëmarrjen në institucionet e Kosovës.

Lista Serbe po ashtu më 19 maj ka mbajtur një konferencë të jashtëzakonshme për media në Mitrovicën e Veriut, ku nënkryetari i partisë Igor Simiç, tha se qytetarët serbë janë të përkushtuar për paqe, por më 1 qershor do të pasojë një përgjigje vendimtare nga populli serb, nëse mohohen të drejtat elementare të tyre.

Diplomatët perëndimorë nuk e kanë kundërshtuar mbajtjen e zgjedhjeve në veriun e Kosovës edhe pa pjesëmarrjen e Listës Serbe, subjektit kryesor politik serb, ndërsa u kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të punojnë në kthimin e serbëve të Kosovës në institucione dhe zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre. 

tensione në veri të kosovës

Sondazh

Poll