Politike

Rikthehet Task Forca për ndalimin e qeseve plastike, Kumbaro e Ibrahimaj paralajmërojnë masa ndëshkuese

Ndonëse ligji ndalon përdorimin e qeseve plastike njëpërdorimshe, ky shqetësim ende nuk ka marrë një zgjidhje

23 Maj 2023, 17:10 Nga m.s
Rikthehet Task Forca për ndalimin e qeseve plastike, Kumbaro e Ibrahimaj
Mbledhja per masat e nderrmara per qeset plastike

TIRANË- Qeveria i rikthehet edhe një herë ndotjes së mjedisit nga qeset plastike. Ndonëse ligji ndalon përdorimin e qeseve plastike njëpërdorimshe, ky shqetësim ende nuk ka marrë një zgjidhje. Ndodhur në këto kushte, qeveria paralajmëron masa të ashpra ndëshkuese për shkelësit e ligjit. Shumë fushata sensibilizuese janë bërë, për të kaluar në përdorimin e qeseve shumëpërdorimshe dhe të trastave.

Sot, nën drejtimin e Ministres së Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, u mbajt një takim me përfaqësues të institucioneve përgjegjëse, për ndalimin e përdorimit të qeseve plastike në vend. E pranishme në këtë takim ishte dhe Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.

Palët diskutuan mbi rikoordinimin e punës sensibilizuese dhe zbatimit të përgjegjësive të secilit institucion, për vijimin e kontrolleve në terren, për ndalimin e përdorimit dhe tregtimit të qeseve plastike, si dhe të marrjes së masave të parashikuara ligjore në rastet kur konstatohet mos zbatimi i ligjit.

Delina Ibrahimaj kërkoi që institucionet përgjegjëse të angazhohen seriozisht gjatë periudhës në vijim, në përcaktimin e planeve të punës dhe kontrolleve në terren, në mënyrë që të përmbushin detyrimet e tyre ligjore për ndalimin e përdorimit, tregtimit dhe hyrjes në vendin tonë të qeseve plastike.

“Besoj që ka ardhur koha që të kemi një plan të detajuar të dytë. Ju keni operuar me një Task Forcë të përbashkët, por mendoj që Policia Bashkiake të bëjë një plan kontrollesh, me qëllim që të kemi mbulueshmëri sa më të madhe dhe pastaj në momentin që evidentohet një shkelje, ISHMT vjen dhe vendos penalitetin”, tha Ibrahimaj.

Sakaq, ministrja Mirela Kumbaro theksoi rëndësinë e vijimit të punës dhe kontrolleve në terren, në mënyrë që të mos lejohen abuzimet dhe të zbatohen detyrimet ligjore sa i përket ndalimit të përdorimit të qeseve plastike.

“Është koha sot, një vit mbrapa, të themi që me hyrjen në fuqi të ligjit, më 1 qershor të vitit të kaluar, jemi prapë në një situatë në të cilën duhet të forcojmë masat kontrolluese, koordinuese e ndëshkuese, por edhe për t’i bërë ato të njohura. Unë besoj që këto masa kontrolluese dhe ndëshkuese duhet të intensifikohen pikërisht në këtë moment, edhe për një arsye tjetër: Kemi një fluks shumë të shtuar të njerëzve që qarkullojnë në territor. Vetëm në muajin prill, kemi 53% më shumë vizitorë të huaj sesa prilli i kaluar, që do të thotë se 2.8 milionë qytetarë shumëfishohen brenda javës në mënyrë progresive”, deklaroi ministrja Kumbaro.

Urdhri i Kryeministrit Edi Rama parashikon disa përgjegjësi dhe detyrime të një sërë institucioneve, si Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Inspektoriati Shtetëror i Mbikqyrjes së Tregut, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, apo edhe njësitë e vetëqeverisje vendore përmes Policisë Bashkiake, për ndalimin e përdorimit, hedhjes në treg, prodhimit, importimit apo futjes në vend të qeseve plastike mbajtëse si dhe të qeseve plastike mbajtëse të oxo-degradueshme dhe oxo-biodegradueshme.

ndalimi i qeseve plastike task forca

Sondazh

Poll