Sport

Mourinho reagon ashpër ndaj ndëshkimit të Juventusit… “Më vjen keq për Allegrin”

“Është shaka ta mësosh këtë vendim, dy raunde para fundit”

23 Maj 2023, 12:15 Nga DOSJA
Mourinho reagon ashpër ndaj ndëshkimit të Juventusit…

ITALI - Jose Mourinho ka kritikuar vendimin për të ndëshkuar Juventusin me minus 10 pikë vetëm dy raunde para përfundimit të kampionatit të Serisë A dhe ka shprehur mbështetjen e tij për Massimiliano Allegrin dhe lojtarët e tij. 

Roma përfundoi 2-2 në shtëpi ndaj Salernitanas, por i mbajti gjallë shanset e saj në ‘Top-4’, pasi ndalimi i Juves e çoi skuadrën e Allegrit në vendin e 7-të. “Është një shaka të mësosh këtë vendim dy raunde para fundit”,- tha Mourinho për DAZN.

“Qasja jonë do të kishte qenë ndryshe nëse do ta kishim ditur para ndeshjeve me Monza dhe Bologna. Më vjen keq për Allegrin dhe lojtarët e tij që duhet të paguajnë për gabimet që ndoshta kanë bërë drejtuesit e klubit”,- shtoi “Special One”.

Roma është e gjashta në tabelën e Serie A me 60 pikë, katër prapa Milanit të vendit të katërt me dy ndeshje të mbetura.

Verdhekuqtë do të luajnë dy ndeshjet e tyre të fundit në Serie A kundër Fiorentinës jashtë dhe me Spezian në shtëpi, por edhe nëse humbasin katërshen e parë, ata mund të luajnë sërish në Champions League në sezonin 2023-24, nëse fitojnë Europa League.

Roma do të përballet me Sevillan në finalen e turneut në Budapest më 31 maj.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll