Bota

Erden Atiç zyrtarisht kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut: Do të punojmë pa dallim dhe pa diskriminim me të gjithë qytetarët

I pyetur se kur do të hapet Ura e Ibrit, Atiç nuk u përgjigj drejtpërdrejt, por tha se komuna nën udhëheqjen e tij ka për qëllim lehtësimin e jetës së qytetarëve dhe heqjen e pengesave.

19 Maj 2023, 13:30 Nga a.l
Erden Atiç zyrtarisht kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut: Do
Erden Atiç

KOSOVË- Erden Atiç është tashmë zyrtarish kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut. Pas betimit, në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit, ai ka dhënë një deklaratë për mediat ku është shprehur se do të punojë pa dallim dhe pa diskriminim me të gjithë qytetarët.

“Jam i kënaqur. Sapo e përfunduam seancën solemne të betimit. Me gjithë ekipin shprehi se do të punojmë për të gjithë qytetarët e komunës veriore të Mitrovicës, pa dallim. Angazhimin më të madh do ta bëjmë për ta normalizuar këtë pjesë të komunës. I bëj ftesë gjithë qytetarëve që të vijnë dhe të na takojnë dhe të bashkëpunojmë sa më mirë për të mirën e qytetarëve”, tha ai. 

I pyetur se kur do të hapet Ura e Ibrit, Atiç nuk u përgjigj drejtpërdrejt, por tha se komuna nën udhëheqjen e tij ka për qëllim lehtësimin e jetës së qytetarëve dhe heqjen e pengesave.

“Së bashku jam me nënkryetaren Katarina Hagangjiq, me të cilën do të punojmë me një ekip shpresëdhënëse. Me neve është ministri Elbert Krasniqi, po ashtu është kryesuesi i kuvendit, Nexhat Uglanin. Ne si ekzekutiv qëllimin e kemi për me ua lehtësuar jetën qytetarëve, çfarëdo pengese që kanë në këtë aspekt angazhimin e kemi që me i rregulluar problemet”, tha ai. 

Atiç fitoi zgjedhjet për kryetar të veriut të Mitrovicës në zgjedhjet e 23 prillit. Në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të mbajtura më 23 prill, Atiç nga Lëvizja Vetëvendosje, fitoi rreth 550 vota ose 66 për qind të votave. Pjesëmarrja në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale ishte 3.47 për qind e trupit zgjedhor.  

mitrovica e veriut

Sondazh

Poll