Bota

Gjykimi ndaj Thaçit dhe ish-krerëve të UÇK-së, fillon dëshminë dëshmitari i pestë

Në seancën e sotme ka nisur dëgjimi i dëshmitarit të pestë. Pas një pauze 40 minutëshe, kryetari i trupit gjykues, Charles L. Smith pasi është kthyer në sallë, ka njoftuar se për të mbrojtur dëshmitarin do të vazhdojnë në seancë private.

17 Maj 2023, 17:59 Nga f.i
Gjykimi ndaj Thaçit dhe ish-krerëve të UÇK-së,
gjyqi në Hagë

HAGË- Gjykimi në Hagë për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka vazhduar sërish me dyer të mbylluar. Në seancën e sotme ka nisur dëgjimi i dëshmitarit të pestë. Pas një pauze 40 minutëshe, kryetari i trupit gjykues, Charles L. Smith pasi është kthyer në sallë, ka njoftuar se për të mbrojtur dëshmitarin do të vazhdojnë në seancë private.

“Kalojmë në seancë private, kjo bëhet për të mbrojtur dëshmitarin”,- ka thënë ai.

Gjatë ditës së sotme , dëshminë e ka përfunduar pranë Gjykatës Speciale dëshmitari i katërt, i cili i është përgjigjur pyetjeve të mbrojtjes së Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të cilat po ashtu janë dëgjuar në seancë të mbyllur për publikun, ashtu siç nuk janë dëgjuar as edhe pyetjet e bëra nga ZPS-ja.

Pas më shumë se dy vjetësh në paraburgim, gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka filluar më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve. Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore. Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime. Në aktakuzë pretendohet se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi kanë përgjegjësi penale individuale për krime që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe ishin pjesë e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave që dyshoheshin se ishin kundër UÇK-së.

kosova ne hage

Sondazh

Poll