Politike

Tërmet Peçi “shkund” Tepelenën, fiton me 82.67% të votave, socialistët fortifikojnë bastionin e tyre në këtë qytet

15 Maj 2023, 08:07 Nga m.s
Tërmet Peçi “shkund” Tepelenën, fiton me 82.67%
Tërmet Peçi dhe Edi Rama

TEPELENË- Tërmet Peçi ka fituar me rezultatin më të thellë të këtyre zgjedhjeve deri më tani. 82.67%, është ky rezultati i siguruar nga socialisti Tërmet Peçi në Tepelenë, përballë dy kundërshtarëve nga opozita, të cilët kanë marrë 7 dhe 10% secili. Me këto rezultate, Tërmet Peçi ka siguruar mandatin e tij të tretë në krye të Bashkisë së Tepelenës.

Në më shumë se 10 Bashki ka përfunduar tashmë numërimi i votave, ku në shumicë dërrmuese Partia Socialiste është shpallur fituese, si në Pustec, Selenicë, Elbasan, Kamëz, Vorë, Kolonjë, Tepelenë dhe kryeson në pjesën tjetër të mbetur të vendit.

"Bashkë Fitojmë" ka mundur të sigurojë fitoren deri tani në dy Bashki, në Memaliaj dhe në Pukë.

Si shkoi procesi i zgjedhjeve?

Shqipëria mbajti një ditë më parë (14 Maj) zgjedhjet vendore 2023. Qendrat e votimit u hapën në orën 07:00 dhe u mbyllën zyrtarisht në orën 19:00. Tashmë ka nisur procesi i numërimit në disa bashki. Për herë të parë në Kamëz, Vorë dhe Elbasan pati votim dhe numërim elektronik dhe në të treja këto bashki, fitues doli PS. 

Mbi 3.6 milionë qytetarë kishin të drejtë vote, për të zgjedhur 61 kandidatë për kryebashkiakë. Në 61 bashki të vendit ishin të hapura 5213 qendra votimi. Mbi 500 qendra votimi shfaqën probleme teknike me identifikimin biometrik, duke shkaktuar vonesa në votime.

zgjedhjet lokale 14 maj 2023 tërmet peçi

Sondazh

Poll