Politike

Orët e fundit përpara 14 majit/ Arrestohet Beleri i Himarës, si e paralajmëroi Rama, tensione edhe në Kukës

Krisma armësh, denoncime, filmime, përgjime e madje edhe arrestime. Kështu po mbyllet kjo fushatë e 'zjarrtë' elektorale. 

12 Maj 2023, 08:18 Nga Alberta Boseta
Orët e fundit përpara 14 majit/ Arrestohet Beleri i Himarës, si e
Edi Rama, Fredi Beleri, Safet Gjici

TIRANË- Fushata elektorale për zgjedhjet e '14 Majit' në Shqipëri nuk ishte aspak e qetë. 'Starti' i saj ishte i tillë mirëpo u desh të pritej deri nga fundi i saj për t'i dëgjuar bëmat. Kot nuk thonë 'the calm before the storm'.

Krisma armësh, denoncime, filmime, përgjime e madje edhe arrestime. Kështu po mbyllet kjo fushatë e 'zjarrtë' elektorale. 

Buja e madhe ndodhi në orët e vona të mbrëmjes së kaluar, ku kandidati i koalicionit 'Bashkë Fitojmë', për Bashkinë e Himarës, Fredi Beleri, bashkë me 2 persona të tjerë, avokati i tij dhe një anëtar të Shtabit elektoral, u arrestuan. Ata u ndaluan rreth orës 00:15 nga policia teksa ishte në restorantin e tij. Beleri dhe grupi i tij akuzohen për tentativë blerje votash. Ky ndalim, vjen dy ditë pasi edhe një grua u ndalua duke blerë vota për të, por më pas u lirua nga burgu. 

Duket se ndalimi i Belerit nga forcat blu ishte i paralajmëruar. Kryeministri Edi Rama, një ditë më parë denoncoi publikisht se Beleri, kishte angazhuar persona për të kërcënuar emigrantë.

“Ky maskara ka angazhuar njerëz për të kërcënuar emigrantët. Iu them që mos guxoni të merrni në telefon emigrantët që duan të votojnë ose që mund të vinë të votojnë, as për t’iu thënë që do vini të votoni patjetër për këtë injorantin këtu apo duke i thënë që po votuar për Goron e PS do iu grisim letrat greke dhe unë po iu them në sy do të merrem personalisht me ju të dy dhe jeni ju që rrezikoni që t’i humbisni letrat greke.”

Sikur arrestimi i Belerit të mos ishte ngjarja e vetme, një tjetër ngjarje që bëri bujë ndodhi. Këtë radhë në Kukës. (Lexo këtu) Qerim Halili u ndalua nga qytetarët dhe mbështetësit e Partisë Demokratike pasi u akuzua se po blinte vota. Në një video që u shpërnda nga 'JOQ' u duk edhe Lad Gjici, vëllai i kryebashkiakut të Kukësit, Safet Gjici. 

"Qytetari Qerim Halili me Lad Gjici vellai kryetarit te Bashkis Kukes blejne vota kerce*nojne me ar*m banorin e fshatit Bushat Kukes. G class 300 mije euro,"-shkruhej në denoncim. 

Për këtë shit-blerje votash, Policia ende s'ka reaguar.

Në Pukë- Puka u trondit në orët e para të datës 6 maj pas disa të shtëvave me armë që kishin sfond politik. Policia shpalli në kërkim 26-vjeçarin Klaudio Prendin, i cili dyshohej se ishte mbështetës i Partisë Demokratike. Kështu denoncoi kandidati i socialistëve dhe njëkohësisht kryetari në detyrë, Gjon Gjoni, duke hedhur akuza ndaj kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” dhe është shprehur se janë kërcënuar mbështetës socialistë. Ai i bëri thirrje Policisë së Shtetit të zbardhë ngjarjen menjëherë duke shfrytëzuar provat e gjetura në vendngjarje.

Në Berat- Punimet gjatë mesnatës në rrugën në Berat, sollën përplasje mes banorëve të fshatit Velabisht, kandidatit të opozites per kryetar të bashkisë si dhe personave që po tentonin të hidhnin asfalt elektoral. Kandidati i koalicionit 'Bashkë Fitojmë' Zija Ismaili shkoi në vend ku ka konstatuar se një mjet pa targa po shtronte rrugën, ndërkohë që nuk ka pasur asnjë tabelë informuese për punimet. Ai tentoi të ndalonte punimet, që sipas tij po bëhen pa të drejtë dhe në shkelje të ligjit. Pas këtyre ngjarjeve, reagoi edhe Bashkia e Beratit, ku sqaron se rruga që po bëhej mbrëmë është vazhdimi i projektit për rehabilitimin e rrugës së njësisë Velabisht, teksa sqaroi se punimi po bëhet nëpërmjet marrëveshjes përkatëse së Bashkisë Berat dhe FSHZH si dhe lejes së dhënë.

SHIT-BLERJA E VOTËS:

Tiranë- Një ditë më parë u arrestua një person pasi u akuzua për krime zgjedhore. 51-vjeçari Kristo Agalliu, banues në zonën e Freskut pasi u kap duke negociuar në telefon për të shitur katër vota të familjes së tij kundrejt shumës 150 mijë lekë të vjetra. 51-vjeçari kërkonte t’i paguhej dhe karburanti për të shkuar deri në Kuçovë aty ku edhe do të votonte. Po ashtu Policia e Tiranës ka proceduar në gjendje të lirë dhe bashkëbiseduesin e tij Agron Duraj. 

Memaliaj u referuan materialet në prokurori për Klodian Zaçen dhe Yzeir Hysenin pasi dyshohen për veprën penale të kanosjes apo dhunimit ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje. Dy të dyshuarit kanë nisur me fjalë për mospjesëmarrje në zgjedhje administratorin e njësisë Buz, Fatjon Isufi i cili kreu kallëzimin.

Për shit blerjen e votave gjatë fushatës, e shqetësuar ishte edhe ambasadorja amerikane Yuri Kim, e cila tha një ditë më parë se autoritetet ligjzbatuese duhet të bëjnë detyrën pas këtyre raportimeve dhe partitë politike të marrin masa.

Fushata elektorale për zgjedhjet e 14 majit pritet të mbyllet sot, ndërsa të dielën qytetarët do u drejtohen kutive të votimit. Edi Rama ka rezervuar takime në Shkodër dhe Durrës. Në Shkodër takimi përmbyllës do të mbahet rreth orës 16.30 ndërsa në Durrës në orën 19.00 qytet i cili do të përmbyllë edhe fushatën e selisë rozë. Ndërsa dje fushata e PS-së u mbyll në Tiranë.

fushata 2023 edi rama fredi beleri

Sondazh

Poll