Politike

SMS-të e Këlliçit në celularët e qytetarëve, Komisioneri: Dërgimi i sms-ve i paligjshëm, cënohen të drejtat personale

Sipas Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, çdo subjekt zgjedhor apo operator ekonomik do të penalizohet sipas legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale.

11 Maj 2023, 10:53 Nga A.B

SMS-të e Këlliçit në celularët e qytetarëve,

TIRANË-Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka reaguar në lidhje me dërgimin e mesazheve zgjedhore nga forcat politike sa i takon ‘Lokaleve’ të 14 majit. Në deklaratën e KDIMDP bëhet thirrje që të ndalohet menjëherë çdo përpunim i paligjshëm i të dhënave personale.

Sipas tyre, çdo subjekt zgjedhor apo operator ekonomik do të penalizohet sipas legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale.

REAGIMI: Ditët e fundit është konstatuar një dërgim masiv mesazhesh të një subjekti zgjedhor në drejtim të qytetarëve nëpërmjet shërbimit të telefonisë së levizshme.

Kjo veprimtari konsiderohet përpunim i paligjshëm i të dhënave personale dhe vjen në kundërshtim me parashikimet e ligjit nr. 9887/2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”. Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka vendosur në dispozicion të partive politike dhe të çdo subjekti zgjedhor, por edhe të gjithë publikut Udhëzuesin “Për përpunimin e të dhënave personale në kontekstin e fushatave zgjedhore”. Në këtë dokument shpjegohet edhe më qartë qasja në raport me përpunimin e ligjshëm të të dhënave personale.

Zyra e Komisionerit do të hetojë çdo rast të shkeljes së ligjit nr. 9887/2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale” nga çdo subjekt zgjedhor apo operator ekonomik.

Zyra e Komisionerit, gjithashtu, u bën thirrje të gjithë subjekteve zgjedhore të ndalojnë menjëherë çdo përpunim të paligjshëm të të dhënave personale.

belind kellici

Sondazh

Poll