Sport

Grabitet shtëpia e Sara Simeonit, legjendës së atletikës italiane dhe asaj botërore: I kanë marrë edhe medaljen e artë të Moskës

Ish-kampionia e kërcimit së larti grabitet, ndërsa nuk ishte në shtëpi në Rivoli Veronese: “Ma ktheni medaljen!”

11 Maj 2023, 10:26 Nga DOSJA
Grabitet shtëpia e Sara Simeonit, legjendës së atletikës

ITALI - Vjedhja më e tmerrshme për një kampion sporti: hajdutët hynë në shtëpinë e Sara Simeonit dhe vodhën medaljen e artë të fituar në Moskë në vitin 1980, si dhe trofe të tjerë. 

Kriminelët plaçkitën shtëpinë në Rivoli Veronese, ku kampionia e kërcimit së larti jeton me bashkëshortin, trajnerin Erminio Azzaro dhe djalin e saj Roberto, morën medaljen e artë dhe trofe e kupa të tjerë dhe u zhdukën. Sara Simeoni e zbuloi vjedhjen vetëm kur u kthye në shtëpi dhe pasi e denoncoi te karabinierët, teksa u bëri thirrje hajdutëve: “Më ktheni medaljen e artë të fituar në Moskë”.

Nga ana tjetër, medaljet e argjendta të fituara në Montreal dhe Los Angeles, u gjetën nën shtratin ku ishin hedhur nga hajdutët. Nga sa mësohet, shtëpia ka një sistem video survejimi, por duket se është anashkaluar. 

Zbulimi i vjedhjes ishte një goditje e rëndë për Simeonin. "Do të thotë vite stërvitje, sakrifica dhe heqje dorë nga zbavitjet. Nuk është e lehtë të fitosh një medalje në Olimpiadë. Është simboli i shumë viteve stërvitje, do të thotë gjithçka", tha ajo për Rai.

Kujtimet e një jete të mbushur me rezultate të jashtëzakonshme që bënë që kampionia italiane, e cila pak javë më parë mbushi 70 vjeç, të zgjidhet “Sportisti i njëqindvjetorit” së bashku me skiatorin Alberto Tomba. 

Një palmares, që përveç arit në Moskë përfshin argjendin në Montreal 1976 dhe Los Angeles 1984, por edhe medaljen e artë në Kampionatin Evropian të Pragës, duke përsëritur rekordin botëror në kërcimin 2.01m., të arritur në gusht 1978 në Brescia. 

Kujtimet e një jete që janë fshirë nga sulmi i hajdutëve. “Më hoqën kaq shumë kujtime dhe do të doja të paktën të më kthejnë atë medalje, nuk është as flori, çfarë bëjnë me të? Për mua ka një kuptim dhe vlerë të veçantë, për ta asgjë”, përfundoi Sara Simeoni.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll