Bota

Dialogu Kosovë-Serbi/ Financial Times: Cili ishte mesazhi i fortë që Macron i dha Albin Kurtit?

Pjesa më interesante e artikullit ka të bëjë me disa informacione që i ofron një “zyrtar evropian” që ka mbetur anonim.

9 Maj 2023, 17:50 Nga a.l
Dialogu Kosovë-Serbi/ Financial Times: Cili ishte mesazhi i fortë
Emmanuel Macron dhe Albin Kurti

FRANCË- Gazeta prestigjoze 'Financial Times' ka publikuar një artikull lidhur me zhvillimet e fundit në dialogun Kosovë-Serbi. Aty zbulohet edhe një detaj mjaft interesant ku përfshihet presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri ynë, Albin Kurti.

Artikulli i përgatitur nga Marton Dunai është titulluar “Serbia dhe Kosova: Shtytja fatkeqe e Perëndimit për ta mbyllur ndasinë”.

Në këtë artikull tregohet edhe se si zëdhënësi i punëve të jashtme në BE, Peter Stano, para disa ditëve kishte deklaruar se Kurti kishte “shkelur germën dhe shpirtin e marrëveshjeve të Brukselit”.  Në të citohet edhe përfaqësuesi i ShBA-ve për dialogun Kosovë-Serbi, Gabriel Escobar, si një prej shtytësve të mëdhenj të Perëndimit për marrëveshjen duke insistuar që ajo është ligjërisht e obligueshme.

MESAZHI 

Por, pjesa më interesante e artikullit ka të bëjë me disa informacione që i ofron një “zyrtar evropian” që ka mbetur anonim.

Prej gushtit të kaluar (2022) e deri në janar, “ne bëmë presion të barabartë te të dyja palët, masë pas pase, pikë pas pike,” tha zyrtari evropian. Secila palë mori pak dhe dha pak. Ne provonim të kënaqnim secilën palë.” – shkruhet aty.

Dhe, më pas ai flet për pikën më interesante ku u desh ndërhyrja e presidentit Macron me një mesazh “të fortë” ndaj Kurtit. 

“Në një pikë (presidenti francez) Macroni i dha një mesazh të fortë Kurtit: duhet ta bësh këtë gjë prioritet nëse do që gjërat të shkojnë përpara,” shton zyrtari. Ai po ashtu i tha atij që Kosova nuk duhej të vazhdonte të kthehej mbrapa apo të ndryshonte pozicionet e saj.”

Franca ishte përfshirë më shumë se asnjëherë tjetër në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Kryeministri Kurti e kishte përmendur në disa raste këshilltarin e presidentit Macron, z. Emmanuel Bonne, për rolin e tij në propozimin franko-gjerman prej të cilit derivoi më pas edhe Marrëveshja e Rrugës për Normalizimin e Marrëdhënieve që ishte arritur më 27 shkurt Bruksel. 

Kryeministri në vazhdimësi ka ndryshuar pozicionet dhe qëndrimet e tij në lidhje me dialogun me Serbinë. Kujtojmë që së fundi më 3 shkurt 2023 ai ka përmendur 6 kushte pa të cilat nuk mund të kishte Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe, por të cilat prej asaj kohe nuk i ka përmendur më. Ndërkohë, Kosova ka fituar liberalizimin e vizave prej 1 janarit 2024. Për vite me radhë, Franca kishte qenë mes dy vendeve skeptike për një gjë të tillë. 

Marrë nga Nacionale 

albin kurti

Sondazh

Poll

Bota 9 Maj 2023, 17:35 a.l

"Evropa gjeopolitike" e Olaf Scholz

Olaf Scholz GJERMANI- Kancelari gjerman Olaf Scholz gjatë fjalimit të tij për të ardhmen e Evropës në seancën plenare t...