Bota

Provinca kanadeze Alberta shpall gjendjen e jashtëzakonshme, ndihmë nga ushtria për zjarret, 29 mijë banorëve u është kërkuar të lënë shtëpitë

Alberta është një rajon kryesor prodhues i naftës në Kanada, dhe zjarret kanë shkaktuar mbylljen e disa puseve të naftës dhe gazit natyror dhe sistemeve të tubacioneve

9 Maj 2023, 09:20 Nga m.s
Provinca kanadeze Alberta shpall gjendjen e jashtëzakonshme, ndihmë
zjarret ne Alberta

KANADA- Provinca kanadeze Alberta është në një situatë kritike nga flakët e zjarrit. Ndihmë ushtarake është kërkuar nga qeveria federale e Kanadasë, ndërsa lufton me zjarret masive. Prej së hënës pasdite, 94 vatra zjarri kanë përfshirë gjithë Albertën, ku 27 janë konsideruar si jashtë kontrollit.

Më shumë se 29.000 njerëzve u është kërkuar të largohen menjëherë nga shtëpitë e tyre. Provinca shpalli gjendjen e jashtëzakonshme gjatë fundjavës, për shkak të zjarreve.

Të hënën, kryeministrja e Albertës, Danielle Smith tha se ka folur me kryeministrin Justin Trudeau, ku dhe ka kërkuar ndihmë shtesë, përfshirë mbështetjen ushtarake, nga qeveria federale.

"Kryeministri Trudeau konfirmoi se ushtria do të dërgohet për të ndihmuar nëse është e nevojshme", tha Smith në një konferencë shtypi.

Ajo shtoi se kjo ka qenë një "kohë sfiduese" për provincën, pasi zjarrfikësit po mundohen që të shuajnë flakët, ndërsa banorët dhe pacientët e spitalit po evakuohen nga zonat e prekura.

“Dhjetëra mijëra njerëz janë detyruar të largohen nga shtëpitë dhe punët e tyre, duke lënë pas gjithçka që kanë, duke pyetur veten nëse do të humbasin gjithçka për të cilën kanë punuar”, tha ajo.

Smith tha se provinca e saj do të paguajë ndihmë financiare urgjente prej 1.250 dollarë kanadezë (934 dollarë; 740 £) për çdo të rritur që është detyruar të evakuohet për më shumë se shtatë ditë.

Zjarrfikësit nga provincat e tjera, duke përfshirë Quebec dhe Ontario, kanë fluturuar në Alberta për të ndihmuar në shuarjen e flakëve. Zjarret janë përhapur në pjesën perëndimore dhe veriore të provincës, duke përfshirë disa zona përgjatë ultësirës së maleve shkëmbore.

Zonat më të goditura përfshijnë Drayton Valley, rreth 140 km (87 milje) në perëndim të kryeqytetit provincial Edmonton dhe Fox Lake, rreth 550 km në veri të qytetit, ku 20 shtëpi dhe një stacion policie u dogjën nga zjarri.

Alberta është një rajon kryesor prodhues i naftës në Kanada, dhe zjarret kanë shkaktuar mbylljen e disa puseve të naftës dhe gazit natyror dhe sistemeve të tubacioneve.

Eksportet e gazit natyror kanadez në Shtetet e Bashkuara ranë në 6.7 miliardë metra kub në ditë të dielën, më e ulëta që nga prilli 2021, sipas të dhënave të përpiluara nga kompania e të dhënave financiare Refinitiv. /Dosja.al

alberta kanada

Sondazh

Poll