Politike

Veliaj: Demokratët të mos votojnë logon e partive, por për të ardhmen e familjeve të tyre

Veliaj theksoi se në Shqipëri ka vetëm një forcë politike që çon vendin përpara dhe se sipas tij, ajo është Partia Socialiste.

7 Maj 2023, 18:59 Nga F.M
Veliaj: Demokratët të mos votojnë logon e partive, por për
Erion Veliaj

TIRANË- Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka zhvilluar takime me qytetarët e Tiranë të cilëve u ka kërkuar që ta votojnë për një tjetër mandat. Bashkë me Veliaj, në takimet me banorët e njësive 5, 10 dhe 13 në kryeqytet, ishte dhe deputeti i Partisë Socialiste, Fatmir Xhafaj e ministret Delina Ibrahimaj dhe Elva Margariti. Veliaj theksoi se në Shqipëri ka vetëm një forcë politike që çon vendin përpara dhe se sipas tij, ajo është Partia Socialiste.

Pjesë nga fjala e Veliajt:

Fakti që sot na bashkohen me dhjetra qytetarë, është meritë e Partisë Socialiste. Nuk ka rëndësi nëse gjyshi, gjyshja kanë qenë të majtë apo të djathtë, por çdo njeri me mend në kokë thotë: ‘Nëse fëmija im shkon në një çerdhe më të mirë - dhe në Njësitë 5, 10 dhe 13 institucionet arsimore janë më të mira - atëherë familja ime është partia që e çon vendin vetëm përpara’. Nëse shkollat dhe kopshtet janë më të mira, dhe djali dhe vajza ime shkojnë në një shkollë e kopsht më të mirë - këtu afër kemi shkollën e re të Selitës “Murat Toptani”, po ashtu shkollat që kemi bërë në Pezë, në Daias, në Mangull, në Dajt, e deri në Dritas në periferi me Fushë Krujën, janë më të mira, janë ndërtuar me standardin e shkollës ‘Kosova’ - atëherë pavarësisht si kanë votuar gjyshet dhe gjyshërit, këta njerëz kanë vendosur të votojnë për familjen e tyre, që është partia më e rëndësishme për ta çuar Tiranën përpara. Nëse prindërit e tu kanë një park më të gjelbër, dhe me këtë parkun e Liqenit të dyfishuar ka më shumë hapësirë dhe gjelbërim, dhe me parkun e Farkës, që sapo kemi hapur, i kemi dhënë Tiranës një tjetër polmon, atëherë voto për këtë, jo për partinë. Nëse sot kemi mbaruar gjysmën e Unazës, dhe kemi vazhduar nga sheshi ‘Shqiponja’ deri në Farkë të Madhe, atëherë është shumë e rëndësishme që të votosh që t’i vetë të çlirohesh nga trafiku me 7 lotet e tjera që po bëjmë nga Farka e Madhe te ‘Kokonozët’, nga ‘Kokonozët’ te Kodra e Priftit, nga Kodra Priftit në Tufinë, nga Tufina në Paskuqan dhe nga Paskuqani sërish në Laprakë, te sheshi Shqiponja. Voto për këto! Sot nuk duam të shpërndajmë testera partie, nuk duam të bëjmë mbledhje partie, nuk duam të shtojmë anëtarësinë, por sot duam të shtojmë zemrat që rrahin për Tiranën, mendjet që mendojnë për Tiranën dhe mëngët e përveshura që punojnë për Tiranën, që shkon vetëm përpara.

erion veliaj fushata 2023 zgjedhjet lokale 14 maj 2023 zgjedhjet vendore 14 maj 2023

Sondazh

Poll