Politike

"Nuk ka kthim mbrapa, vetëm përpara!”, Gjergj Mërkuri ironizon ftesën e Ramës për tërheqjen nga gara

Gjergj Mërkuri i është kundërpërgjigjur me ironi ftesës së kryeministrit Edi Rama, për tu tërhequr nga gara në Sarandë.

6 Maj 2023, 18:25 Nga m.s
"Nuk ka kthim mbrapa, vetëm përpara!”, Gjergj Mërkuri
Gjergj Mërkuri

SARANDË- Kandidati i pavarur për zgjedhjet lokale të 14 majit, Gjergj Mërkuri, i është kundërpërgjigjur me ironi ftesës së kryeministrit Edi Rama për tu tërhequr nga gara në Sarandë. Me anë të një mesazhi ia kthen kreut të qeverisë se do të vijojë garën, duke e demostruar me sloganin e PS-së “Kurrë më mbrapa, vetëm përpara”. Ai thotë mes të tjerash se është angazhuar në këtë garë me besimin për ta çuar Sarandën në një tjetër fazë zhvillimi. Mërkuri nënvizon se kjo nuk është një betejë politike, por për Sarandën dhe qytetarët do të triumfojnë në 14 maj.

“Të dashur miq, slogani ynë i kësaj fushate elektorale për Bashkinë e Sarandës “Vendosin qytetarët, jo partitë”, bëri të kuptojnë qartë të gjithë aktorët politikë fitoren tonë në 14 maj. Ne jemi të bashkuar dhe me një ambicie të vetme, që në 14 maj të triumfojë qytetaria. Ne jemi futur në këtë garë që të fitojmë dhe ta çojmë Sarandën në një fazë tjetër zhvillimi, duke u bazuar në dashurinë që kemi për këtë qytet ku ushtrojmë aktivitetet tona jetësore të përditshme.

Ditën e djeshme Saranda u vizitua nga kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama, duke dëgjuar fjalët e mira në adresën time dhe kërkesën e tij, ne si qytetarë i përgjigjemi me sloganin e tij të fushatës elektorale:

“NUK KA KTHIM MBRAPA, VETËM PËRPARA”.

Teksa na ndajnë dhe një javë nga data zgjedhjeve unë informoj të gjithë bashkëqytetarët e mi se fushata jonë vazhdon intensivisht dhe këtë javë. Ne do të jemi kudo, do të flasim me çdo qytetar që e do Sarandën, të majtë dhe të djathtë qofshin. Kjo nuk është një betejë poltike, kjo është një betejë për Sarandën dhe qytetarët do të triumfojnë në 14 maj.

Ndaj këtë javë ftoj çdo mbështetës dhe simpatizantë, të flasë me këdo që mundet, të përcjellë mesazhin në çdo cep të qytetit, të unifikojmë forcat, pasi nga fitorja na ndan vetëm një javë. VENDOSIN QYTETARËT, JO PARTITË”, shprehet Mërkuri.

Dje, kryeministri Rama zhvilloi një takim në Sarandë, në kuadër të fushatës për zgjedhjet lokale të 14 majit. Rama u ndal tek kandidati i pavarur Gjergj Mërkuri, i cili ka qenë ish-kryetar i PS-së në Sarandë, teksa prezantonte punët e bëra dhe kandidatët e mazhorancës.

Rama tha se Mërkuri duhet të mbyllë fushatën e tij, dhe pas zgjedhjeve t’i rikthehet PS-së, pasi me kandidimin e tij po i bën dëm PS-së në betejën për Bashkinë. Kryeministri shtoi se kandidimi i Gjergj Mërkurit gëzon vetëm krahun tjetër politik, dhe e ftoi që të lërë në mes fushatën dhe pas 14 majit të diskutojnë mes palëve për një rikthim në PS.

Thirrja e Ramës

“Gjergjit i kanë rënë në qafë, por tani Gjergji nuk duhet t’i bie në qafë të gjithë PS, të gjithë atyre që janë këtu dhe mbi të gjitha nëse askush nuk gëzohet për ata që bën Gjergji, janë ata tjerët që gëzohen. Kështu që unë Gjergjin do ta ftoja të gjejë arsyen brenda vetes dhe nëse për një arsye ose një tjetër e ka të pamundur që ta ulë pak kokën, të paktën ta mbyllë fushatën. Ta mbyllë fushatën dhe të presë përfundimin e fushatës më 14 maj, të presë fitoren e Oltit dhe të PS dhe pastaj të kthehet në PS të ulemi në tavolinë t’i diskutojmë gjërat. Ata që kanë rënë në qafë ta pranojnë fajin, Gjergji ta pranojë fajin që po bën. Të bashkohemi dhe vazhdojmë përpara”, tha Rama. /Dosja.al 

Sondazh

Poll