Politike

Boçi prezanton projektin për parkun diellor të Elbasanit: Kthim në një qytet të pastër dhe ekologjik

Duke ftuar qytetarët që të votojnë projektin e tij për Elbasanin, Luçiano Boçi u shpreh se nuk do të lejojnë askënd, për të shuar shpresat për një të ardhme më të mirë.

5 Maj 2023, 12:59 Nga m.s

Boçi prezanton projektin për parkun diellor të Elbasanit: Kthim

ELBASAN- Kandidati i koalicionit Berisha-Meta në Elbasan, Luçiano Boçi prezantoi projektin e tij për parkun diellor të qytetit, ku tha se kanë menduar për ta kthyer Elbasanin në një qytet të pastër dhe ekologjik. Ai nënshkroi me një kompani partnere të grupit europian Edison një Memorandum Mirëkuptimi dhe Bashkëpunimi.

“Ne kemi menduar që të realizojmë në Elbasan një park qytetas të energjisë diellore, duke përdorur kryesisht çatitë e banesave për montimin e paneleve diellore”, tha më tej ai, duke e cilësuar si një prej ëndrrave më të bukura për Elbasanin kthimin e tij në një qytet të pastër.

Kandidati i koalicionit Berisha-Meta në Elbasan, Luçiano Boçi foli për punësimin e jo më pak se 100 teknikëve, të cilët do të angazhohen për parkun diellor.

“Ne duam që në këtë proces të trajnojmë dhe punësojmë jo më pak se 100 teknikë, të cilët do të angazhohen në montimin dhe mirëmbajtjen e këtij parku diellor. Projektin e parë të këtij tipi e ka bërë bashkia e Los Angeles në SHBA”, tha Boçi.

Luçiano Boçi i mëshoi faktit për një model zhvillimor, ku premtoi që Bashkia të ofrojë energji që kushton të paktën 30% më lirë për të gjitha entet publike.

“Bashkia e re do të ketë mundësi që të ofrojë një energji që kushton të paktën 30% më lirë për të gjitha entet publike, ujësjellësin, biznesit e reja startup që do të vijnë në Elbasan dhe gjithashtu do të krijojë një burim të rëndësishëm të ekonomisë së gjelbër dhe një model zhvillimor unik. Guximi për të kërkuar më të mirën buron nga besimi se ne e meritojmë atë. Fakti që nuk e kemi ende, fajëson ata që nuk e kanë krijuar. Në Shqipëri absurdi ka shkuar shumë larg. Këtu ata që paguhen për ta zhvilluar vendin, jo vetëm që nuk e kanë përmbushur këtë detyrë, por ata sulmojnë këdo që guxon të mendojë sesi kjo mund të bëhet. Për fat të keq, politika shqiptare prej dekadash shpjegon vetëm rrugët sesi gjërat shkatërrohen, jo sesi ndërtohen ato”.

Duke ftuar qytetarët që të votojnë projektin e tij për Elbasanin, Luçiano Boçi u shpreh se nuk do të lejojnë askënd, për të shuar shpresat për një të ardhme më të mirë. “Ka ardhur koha që të mos lejojmë askënd që të rrëzojë shpresat tona për një jetë më të mirë, për një qytet më të denjë, për një sistem i cili premton të ardhme”. /Dosja.al

 

luçiano boçi elbasan

Sondazh

Poll