Bota

Nënshkruhet vendimi për liberalizimin e vizave në Kosovë, eurodeputeti holandez: Nga 1 janari, qytetarët mund të lëvizin të lirë

Reuten shtoi se Kosova i kishe përmbushur kriteret për heqjen e vizave shumë vite më parë.

19 Prill 2023, 15:59 Nga a.l
Nënshkruhet vendimi për liberalizimin e vizave në Kosovë,
Nënshkruhet vendimi për liberalizimin e vizave

KOSOVË- Nënshkruhet në Strasburg akti ligjor i Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën. Eurodeputeti holandez, Thijs Reuten në një konferencë për media pas nënshkrimit të aktit ligjor për vizat, tha se më në fund qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza drejt Evropës. Ai shtoi se lëvizja pa viza drejt BE-së për qytetarët e Kosovës do të nis nga 1 janari 2024.

Më në fund para gjysmë ore nënshkruam aktin ligjor që u mundëson qytetarëve të Kosovës të lëvizin lirshëm drejt BE-së pa viza. Më në fund udhëtimi drejt BE-së për pushime, vizita familjare, udhëtime biznesi do të jetë më e lehtë.  Nga 1 janari 2024 të paktën bartësit e pasaportës kosovare do të mund të udhëtojnë drejt BE-së pa viza. Dua të falënderoj ish-raportuesen për Kosovën dhe ministren e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon për punën e suksesshme që ka bërë në muajt e kaluar për këtë proces”, tha eurodeputeti holandez. 

Reuten shtoi se Kosova i kishe përmbushur kriteret për heqjen e vizave shumë vite më parë.

Kosova ka punuar shumë për të përmbushur të gjitha kushtet dhe i ka plotësuar ato shumë vite më parë. Nuk është vetëm moment i rëndësisë së madhe për Kosovën, është i rëndësishëm edhe për ne, sepse BE-ja më fund po e përmbush premtimin e saj për Kosovën”, tha Reuten.

Një ditë më parë, më 18 prill, Parlamenti Evropian miratoi vendimin për vizat, duke përmbyllur procedurat vendimmarrëse për këtë çështje. Miratimi u bë pa votim, pasi nuk pati asnjë kundërshtim dhe i hapi rrugën qytetarëve të Kosovës që të lëvizin pa viza në vendet e zonës Schengen prej 1 janarit të vitit 2024. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit, së bashku me ministren e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz. Ceremonia e nënshkrimit u zhvillua në selinë e Parlamentit Evropian, dhe u drejtua nga shefja e këtij institucioni, Roberta Metsola. Pjesëmarrës në ceremoni ishte edhe një përfaqësues i Suedisë, meqë ky shtet kryeson Bashkimin Evropian në këtë periudhë. 

liberalizimi i vizave per kosoven

Sondazh

Poll