Bota

Mes akuzave për lidhje me mafian shqiptare, Presidenti i Ekuadorit shtrohet me urgjencë në spital, e kapin të dridhurat gjatë intervistës

Gjatë mandatit presidencial, Lassos i janë shfaqur disa probleme shëndetësore, dy infektime me Covid-19, trajtime për melanomën, një frakturë dhe një operacion në shtyllën kurrizore.

16 Prill 2023, 18:14 Nga F.M
Mes akuzave për lidhje me mafian shqiptare, Presidenti i Ekuadorit shtrohet
Presidenti Guillermo Lasso

EKUADOR- Presidenti i Ekuadorit Guillermo Lasso ka anuluar axhendën e planifikuar për këtë 16 dhe 17 Prill në Esmeraldas, për shkak të një komplikacioni lidhur me shëndetin e tij. Sipas Ministrisë së Komunikacionit, ai ndodhet i shtruar në spital për një infeksion urinar. Presidenti është ndjerë keq gjatë një interviste të bërë një ditë më parë, më 15 prill, ku pati të dridhura dhe u transferua me urgjencë në Spitalin Ushtarak në Quito.

Rekomandimi i mjekëve është që të qëndrojë nën vëzhgim në spital dhe të pushojë gjatë trajtimit. Gjatë mandatit presidencial, Lassos i janë shfaqur disa probleme shëndetësore, dy infektime me Covid-19, trajtime për melanomën, një frakturë dhe një operacion në shtyllën kurrizore. Guillermo Lasso pritej të takohej me autoritetet shtetërore për shkak të pasigurisë së Esmeraldas.

Pas sulmit në Esmeraldas në Portin Artizanal të Peshkimit, i cili la nëntë të vrarë, Presidenti Guillermo Lasso kishte planifikuar të takohej me kabinetin e tij dhe autoritetet shtetërore për të marrë masa kundër pasigurisë. Forcat e Armatosura dhe Policia kanë përforcuar operacionet në atë krahinë për gjetjen e autorëve të këtij akti, por edhe për kontrollin e mbajtjes së armëve dhe parandalimin e ngjarjeve të reja të këtyre përmasave.

Ushtria ndërhyri dje në disa zona të kontrolluara nga grupi kriminal Tiguerones. Lasso ka qenë së fundmi në epiqendër të mediave për lidhjen me grupet kriminale shqiptare. Mafia shqiptare ka marrë një vëmendje të madhe në Ekuador dhe në çdo media të ndryshme raportohet për ndërhyrje të grupeve kriminale shqiptare në biznese të forta apo edhe në emërime të ndryshme në qeveri.

Së fundmi, disa audio-regjistrime të publikuara nga La Posta nxorrën në pah se Presidenti i Ekuadorit Guillermo Lasso rrezikon shkarkimin nga detyra, por edhe një gjyq politik të nisur ndaj tij, e gjitha për "faj" të bandave shqiptare. Kjo pasi, sipas përgjimeve, Lasso ishte në dijeni të raportimit për lidhjet e mafies shqiptare me rrethin e tij të ngushtë, kryesisht me kunatin e tij, por ka heshtur. Por, përfshirja e shqiptarëve nuk ndalet me kaq. Një ministër dha dorëheqjen pasi u zbulua se CV-në për të kandiduar për postin në fjalë e kishte dorëzuar në duart e grupit shqiptar dhe jo të vetë Presidentit.

guillermo lasso

Sondazh

Poll