Sport

Gradohen sportistët elitarë, tashmë edhe 7 ‘kolonelë’ të rinj pjesë e ushtrisë shqiptare!

Qeveria shqiptare u ka dhënë grada ushtarake sportistëve kampionë të Shqipërisë dhe Kosovës, që kanë nderuar vendin në Lojërat Olimpike, apo edhe në kampionatet europiane dhe botërore.

6 Prill 2023, 11:38 Nga DOSJA

Gradohen sportistët elitarë, tashmë edhe 7

TIRANË - Qeveria shqiptare zhvilloi këtë të enjte, ceremoninë për dhënien e gradës ushtarake "Kolonel" për sportistët kampionë të Shqipërisë dhe Kosovës, që kanë nderuar vendin në Lojërat Olimpike, apo edhe në kampionatet europiane dhe botërore.

Kampionet e Kosovës në xhudo, Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi janë pjesë e Forcave të Armatosura, teksa peshëngritësit Erkand Qerimaj dhe Briken Calja, boksieri Alban Beqiri edhe atletja Luiza Gega, do të jenë tanimë me gradën "Kolonel".

Për shkak të arritjeve të tyre në arenën ndërkombëtare, sportistët do të marrin këtë gradë honorifike, duke përfituar një pagë dhe një pension dinjitoz. Në ceremoninë e zhvilluar kanë marrë pjesë kryeministri Edi Rama, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, si edhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi.

Në fjalën e tij, Edi Rama e ka quajtur një "heqje barre" këtë gradë për sportistët, duke cekur se shumë prej kampionëve tanë janë larguar nga vendi dhe kanë kontribuar për një tjetër shtet për shkak të mungesës së kushteve bazë.

"Sot është ditë historike për sportistët dhe Forcat e Armatosura, sepse bëhen pjesë e FA një grup sportistësh që kanë ngritur lart flamurin kuqezi në arenën ndërkombëtare. Pjesë e FA janë edhe tre shqiptare e Kosovës, që do jenë nën të njëjtin flamur për të njëjtin mision, me të njëjtat ambicie dhe vullnete të bashkuara; në funksion jo vetëm të sportit por edhe Forcave të Armatosura. Përfshira e tyre si Kolonel dhe Kolonele e FA dhe gradave të tjera për arritjet në sport, përbën një vlerë të shtuar morale dhe profesionale, përtej simbolikës.

Jam i lehtësuar sot që kam hequr këtë barrë nga kurrizi, që e kishim trashëguar nga e shkuara. Nuk e ulim kokën nga turpi për keqtrajtimin dhe harresën ndaj tyre. Na ka ndodhur në të shkuarën që djem të përkushtuar kanë ngritur flamuj të tjerë, sepse shteti nuk i jepte mundësi për të ngritur flamurin tonë kombëtar. E bënë këtë për një palestër, për një trajtim ushqimor dinjitoz, për një trajner të motivuar, për përfaqësim. Në pamundësi për këto, përfaqësuan forcën e talentit dhe pasionit të tyre. Kjo është një histori turpi e shtetit shqiptar që i përket së shkuarës",- tha Edi Rama.

Në këtë ceremoni folën edhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, si dhe ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi.

Ja sportistët elitarë që nga sot do të jenë pjesë e Forcave të Armatosura shqiptare:

Luiza Gega - atlete / Grada Kolonele

Briken Calja - nën kampion Bote në peshëngritje / Grada Kolonel

Majlinda Kelmendi - kampione olimpike, xhudo / Grada Kolonele

Erkand Qerimaj - kampion Europe, në peshëngritje / Grada Kolonel

Alban Beqiri - kampion Ballkani, në boks / Grada Kolonel

Distria Krasniqi - kampione, xhudo / Grada Kolonele

Nora Gjakova - kampione, xhudo / Grada Kolonele

Në ceremoninë e gradimit ushtarak të kampionëve olimpikë, botërorë e europianë, Rama u shpreh se kjo nuk do të ndodhë pas 10 vitesh, por në pak vitet që vijnë. Sipas kryeministrit, kjo që kurorëzohet sot është edhe një arsye shumë e fortë për të rinjtë që t’i bashkohen FA-së. Ndërkohë, Rama tha se në sport po kurorëzohet një përpjekje që ka filluar prej kohësh, duke u bërë të mundur sportistëve ta përfaqësojnë me dinjitet Shqipërinë.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll