Bota

Lista Serbe vendosi të mos marrë pjesë në zgjedhjet në veri, QUINT-i: Na vjen keq që nuk e shfrytëzuan të drejtën demokratike

Gjithashtu shtetet e QUINT-it iu kanë bërë thirrje të gjitha palëve të përmbahen e të shmangin dhunën, që mund të pengojë zgjedhjet.

24 Mars 2023, 18:59 Nga a.l
Lista Serbe vendosi të mos marrë pjesë në zgjedhjet në
Vendet e QUINT-it

KOSOVË- Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë shprehur keqardhje për vendimin e Listës Serbe që të mos marrë pjesë në zgjedhjet e 23 prillit, të cilat do të mbahen në katër komunat në veri të Kosovës. Përmes një postimi në 'Twitter', shtetet e QUINT-it kanë thënë se zgjedhjet janë themel i demokracisë dhe se është thelbësore që të sigurohet që ato të mbahen në mënyrë paqësore e të rregullt.

“Na vjen keq që Lista Serbe nuk e shfrytëzoi të drejtën demokratike për të marrë pjesë në këto zgjedhje. Presim që autoritetet përkatëse të veprojnë me profesionalizëm”, thuhet në deklaratë.

Gjithashtu shtetet e QUINT-it iu kanë bërë thirrje të gjitha palëve të përmbahen e të shmangin dhunën, që mund të pengojë zgjedhjet.

Lista Serbe, partia udhëheqëse e serbëve të Kosovës, ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme të jashtëzakonshme lokale në komunat në veri të Kosovës duke pretenduar se shkak për këtë vendim sipas tyre është bërë dhuna e vazhdueshme institucionale që zbaton regjimi i Albin Kurtit. Lista Serbe thekson se vendimi për të mos marrë pjesë në këto zgjedhje është marrë në përputhje me pikëpamjet e qytetarëve që ajo i përfaqëson me vite. Lidhur me këtë vendim ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili në faqen e tij zyrtare në 'Twitter' ka shkruar se refuzimi i Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale është shenjë e kontrollit të Beogradit mbi partinë dhe e ndërhyrjes së vazhdueshme në punët e brendshme të Kosovës.

Zgjedhjet në Veri të Kosovës 

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut, janë shpallur për 23 prill, pasi kryetarët e Listës Serbe kanë dhënë dorëheqje për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për zbatimin e procesit të riregjistrimit të automjeteve nga targat serbe në targa të Kosovës. Zgjedhjet e paralajmëruara më parë, për 18 dhjetor të vitit të kaluar, u shtynë me kërkesë të bashkësisë ndërkombëtare. Afati për paraqitjen e kandidaturave ka skaduar më 22 mars. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës ka bërë të ditur se nuk ka aplikime të reja, por vetëm u janë konfirmuar kandidaturat atyre që kanë aplikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e 18 dhjetorit. Kjo do të thotë se janë gjithsej 11 kandidatë nga katër subjekte politike, prej të cilëve vetëm dy janë të komunitetit serb.

zgjedhjet ne veri te kosoves

Sondazh

Poll