Bota

Takimi Kurti-Vuçiç në Ohër, Bashkimi Europian publikon aneksin për të cilin u negociua mbi 12 orë: Do ketë konferencë donatorësh nëse e zbatoni

BE-ja njofton se do të organizojë një konferencë donatorësh brenda 150 ditësh, për të krijuar një paketë investimesh dhe ndihme financiare për Kosovën dhe Serbinë, por nuk do të ketë asnjë shpërndarje nëse nuk zbatohen plotësisht të gjitha pikat.

19 Mars 2023, 18:23 Nga F.M
Takimi Kurti-Vuçiç në Ohër, Bashkimi Europian publikon
Foto Ilustruese

KOSOVË- Bashkimi Europian ka publikuar përmbajtjen e aneksit të marrëveshjes për të cilën u zhvillua dialogu që zgjati më shumë se 12 orë në Ohër. Një nga pikat lidhet me të zhdukurit, ndërsa një tjetër me vetëmenaxhimin e komunitetit serb në Kosovë.

“Palët bien dakord për të krijuar një Komitet të Përbashkët Monitorues, të kryesuar nga BE-ja, brenda 30 ditësh. Zbatimi i të gjitha dispozitave do të sigurohet dhe mbikëqyret nga Komiteti i Përbashkët Monitorues,”- shkruhet në një tjetër pikë.

BE-ja njofton se do të organizojë një konferencë donatorësh brenda 150 ditësh, për të krijuar një paketë investimesh dhe ndihme financiare për Kosovën dhe Serbinë, por nuk do të ketë asnjë shpërndarje nëse nuk zbatohen plotësisht të gjitha pikat.

Përmbajtja:

Aneksi është një pjesë integrale e Marrëveshjes. Kosova dhe Serbia angazhohen plotësisht për t’i respektuar të gjitha nenet e Marrëveshjes dhe këtë Aneks, dhe për t’i zbatuar të gjitha detyrimet e tyre përkatëse – që rrjedhin nga Marrëveshja dhe Aneksi – në mënyrë të përshtatshme dhe në mirëbesim

Palët e kanë parasysh se Marrëveshja dhe Aneksi i zbatimit bëhen pjesë integrale e proceseve përkatëse të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në BE. Palët e kanë parasysh se, menjëherë pas miratimit të Marrëveshjes dhe këtij Aneksi, ndërmjetësuesi i BE-së do të fillojë procesin për t’i ndryshuar standardet e Kapitullit 35 për Serbinë, për t’i konsideruar detyrimet e reja të Serbisë, që rrjedhin nga Marrëveshja dhe Aneksi

Palët pajtohen për të miratuar Deklaratën për Personat e Zhdukur, siç është negociuar në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, si çështje urgjente

Për të zbatuar Nenin 7, Kosova nis menjëherë negociatat në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për përcaktimin e aranzhimeve dhe garancive specifike, që sigurojnë një nivel të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme përkatëse të dialogut, siç përcaktohet nga ndërmjetësuesi i BE-së

Palët bien dakord për të krijuar një Komitet të Përbashkët Monitorues, të kryesuar nga BE-ja, brenda 30 ditësh. Zbatimi i të gjitha dispozitave do të sigurohet dhe mbikëqyret nga Komiteti i Përbashkët Monitorues

Për të zbatuar Nenin 9, BE-ja do të organizojë një konferencë donatorësh brenda 150 ditësh, për të krijuar një paketë investimesh dhe ndihme financiare për Kosovën dhe Serbinë. Asnjë shpërndarje nuk do të ndodhë përpara se BE-ja të përcaktojë se të gjitha dispozitat e Marrëveshjes janë zbatuar plotësisht

Kosova dhe Serbia pajtohen që të gjitha nenet të zbatohen në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra

Rendi i paragrafëve të këtij Aneksi nuk e paragjykon rendin e zbatimit të tyre

Kosova dhe Serbia pajtohen që të mos e bllokojnë zbatimin e asnjë prej neneve

Të gjitha diskutimet në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes do të zhvillohen në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

dialogu kosove-serbi

Sondazh

Poll