Bota

Pak para nisjes së takimit/ Kurti nga Ohri: Do të bisedojmë për planin e zbatimit, derisa të ketë një tekst përfundimtar nuk ka marrëveshje

Kurti ka sqaruar se përderisa s’ka ende një tekst përfundimtar, s’mund të ketë përfundim të bisedimeve dhe marrëveshje.

18 Mars 2023, 10:45 Nga a.l
Pak para nisjes së takimit/ Kurti nga Ohri: Do të bisedojmë
Albin Kurti

KOSOVË- Kryeministrti i Kosovës, Albin Kurti pak para nisjes së takimit me zyrtarët e BE-së në Ohër ka deklaruar se do të ketë diskutime për Aneksin e Implementimit pra për planin e zbatimit meqë ende s’ka një tekst përfundimtar. Kurti ka sqaruar se përderisa s’ka ende një tekst përfundimtar, s’mund të ketë përfundim të bisedimeve dhe marrëveshje.

 “Do të kemi bisedime për planin e zbatimit sepse nuk ka tekst të përfunduar. Përderisa nuk ka tekst të përfunduar, nuk mund të ketë përfundim të bisedimeve, e përderisa nuk ka përfundim të bisedimeve nuk mund të ketë marrëveshje. Unë jam këtu për dialog parimor, të hapur, serioz që duhet të rezultojë në marrëveshje, e marrëveshja nënkupton tekst përfundimtar dhe të dakorduar. Nuk kam ardhur për bisedime për bisedime, por për bisedime për marrëveshje”, ka thënë Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç sot në Ohër të Maqedonisë së Veriut, do të mbajnë takimin e radhës në kuadër të dialogut. Zyra e Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell, ka njoftuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, e kanë konfirmuar pjesëmarrjen. Në njoftim thuhet se dialogu do të fillojë nga ora 10, me ardhjen e pjesëmarrësve individualë. Ndërkaq në orën 10:30, zyrtarët e BE-së fillimisht do të zhvillojnë takime të veçanta dypalëshe me liderët, e më pas do të ketë takim trepalësh.

dialogu kosove-serbi albin kurti

Sondazh

Poll