Sport

Tifozët gjermanë synonin dëmtimin e "Maradonës" në Napoli, por ndërhyrja e Camorra-s ndryshoi gjithçka!...

Muralja kushtuar Maradonës në lagjen spanjole mbeti i padëmtuar.

16 Mars 2023, 20:26 Nga DOSJA
Tifozët gjermanë synonin dëmtimin e "Maradonës"

ITALI - Napoli e mbylli ndeshjen ndaj Eintracht Frankfurt me rezultatin 3-0, falë dygolëshit të Osimhen dhe golit me penallti të Zielinskit. Fatkeqësisht, dje u evidentuan më shumë ngjarjet e kronikës së zezë se sa ato sportive. Por më të keqen e evitoi… Camorra.

Tifozët e Eintracht bënë kërdinë në qytet, duke u përplasur me policinë. Fatmirësisht nuk pati viktima, por nga përplasjet u plagosën 6 agjentë. Numri i të arrestuarve u ngjit në 8 (5 ultras napolitanë dhe 3 gjermanë).

Nga ana tjetër, muralja kushtuar Maradonës në lagjen spanjole mbeti i padëmtuar. Fillimisht synimi i ultrasve të Eintracht ishte ta prishnin atë, por ndryshuan mendje, pasi morën një mesazh nga Camorra.

Mesazhi i Camorra-s për tifozët e Eintrachtit

Ditën e djeshme u shkrua një faqe e keqe sportive dhe u realizuan të gjitha frikërat e vigjiljes. Nga ana tjetër, Digos kishte përgjuar mesazhet kërcënuese, që kishin shkëmbyer dy tifozeritë.

Ministri i Brendshëm kishte ndaluar fillimisht shitjen e biletave në sektorin mik. Më pas TAR i Campanias kishte përmbysur gjithçka, duke i dhënë arsye klubit gjerman. Kështu u hap shitja e lirë edhe për sektorin mik.

Në fund, Prefektura u përpoq ta rregullonte duke penguar shitjen për banorët e Frankfurtit. Por kjo nuk i pengoi ultrasit e Eintracht të zbarkonin masivisht në Napoli.

Një nga objektivat e gjermanëve ishin muralet e Diego Maradonas në lagjen spanjole. Por ata ndryshuan mendje kur morën mesazhin nga Camorra. “Për më tepër, sipas asaj që doli, “Landsknechts”, siç janë riemërtuar tifozët e Eintracht, kishin një objektiv të saktë: të goditnin “shenjtorin” e Maradonës në lagjen spanjole, - shkruan gazeta La Stampa.

Alarmi ishte shfaqur tashmë në biseda që në orët e para të mëngjesit. E sipas asaj që pëshpëritej rrugicave, Camorra, që ka shumë ‘të infiltruar’ në sektorët ultras, kishte bërë të ditur se dëmtimi i murales nuk do të lejohej”.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll