Politike

VOA: Celibashi nuk regjistron në zgjedhjet vendore PD-në me kryetar Lulzim Bashën

Deklarata nga ana e Partisë Demokratike është e firmosur nga Enkelejd Alibeaj, si person i autorizuar nga Basha, tre ditë përpara dorëheqjes së tij në mars të vitit të kaluar.

14 Mars 2023, 21:10 Nga k.m.
VOA: Celibashi nuk regjistron në zgjedhjet vendore PD-në me kryetar
Ilirjan Celibashi

Në Shqipëri, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi vendoi sot të mos pranojë regjistrimin e Partisë Demokratike me kryetar Lulzim Basha, si pjesëmarrëse në zgjedhjet vendore të 14 majit.

Sipas Celibashi, kërkesa për t’u regjistruar nuk ka bazë ligjore e nuk duhet të pranohet, duke sjellë në vëmendje çështjen e ngritur prej tij dhe në seancën e parë të datës 9 mars, lidhur me deklaratën solemne që çdo parti paraqet mes dokumentacionit të kërkuar për rregjistrim. Deklarata nga ana e Partisë Demokratike është e firmosur nga Enkelejd Alibeaj, si person i autorizuar nga Basha, tre ditë përpara dorëheqjes së tij në mars të vitit të kaluar.

Basha rezulton ende si kryetar i PD-së në rregjistrin e partive politike në Gjykatën e Tiranës. Dhe për këtë arsye, sipas Celibashi, duhet që të jetë ai që ta nënshkruajë, duke nënvizuar se ky është një përcaktim ligjor që nuk mund të delegohet.

Përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike Indrit Sefa e kundërshtoi vendimin e marrë sot nga Celibashi, duke folur për një akt politik. Vendimi i Komisionerit shtetëror, është megjithatë i apelueshëm. Ndaj tij, Partia Demokratike njoftoi se do të bëjë ankim në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve, ndërsa fjala e fundit, në çdo rast, i takon Kolegjit zgjedhor.

Edhe Gazmend Bardhi, që po ashtu ka autorizimin e Basha reagi ashpër ndaj vendimit të Celibashi i cili sips tij “shkeli rëndë ligjin, për qëllime politike”, shkroi ai në një postim në Twitter, i pasuar nga një i dytë ku e akuzon Komisionerin shtetëror se është kthyer në “zëdhënës të interesave politike” dhe se është “një njeri i shantazhueshëm që nuk ka lidhje me ligjin dhe me zgjedhjet”.

Ndërsa për Alibeaj “vendimi i paralajmëruar i Komisionerit të Zgjedhjeve është qartas i ndikuar politikisht nga aktorët politikë të interesuar që PD të mos regjistrohet në procesin e zgjedhjeve vendore të 14 majit”, shkroi ai në një postim në Facebook./VOA

ilirjan celibashi

Sondazh

Poll