Sport

Sylvinho e nis me "dhimbje koke"…

Kuqezinjtë mes risive dhe mungesave të shumta për anti-Poloninë

14 Mars 2023, 15:36 Nga DOSJA
Sylvinho e nis me "dhimbje koke"…

TIRANE - Më 27 mars, kombëtarja kuqezi nis aventurën e eliminatoreve të ‘Euro 2024’ me ndeshjen me Poloninë në Varshavë. Ky do të jetë edhe testi i parë i trajneri të ri Sylvinho, i cili për këtë takim ka hartuar tashmë një listë lojtarësh, nga ata të 40-të të seleksionuarit edhe në edicionet e shkuara.

Gjithsesi gjërat bëhen gjithmonë e më të vështira për brazilianin, i cili në këtë premierë kuqezi do të duhet të mos ketë as lojtarët më të mirë të momentit. Një pjesë për arsye dëmtimesh, ku ndër emrat kryesorë janë Armando Broja, sulmuesi i Chelseas, i dëmtuar prej muajit dhjetor dhe që pritet të rikthehet në verë, mesfushori Keidi Bare, gjithashtu i dëmtuar, mbrojtësi Berat Gjimshiti, i dëmtuar fundjavën e shkuar në ndeshjen mes Napolit dhe Atalantës, për të cilin pritet ende përgjigjia e mjekëve për shkallën e dëmtimit.

Gjithashtu i dëmtuar është edhe Frederik Veseli, që nga mesi i muajit të shkuar dhe në dyshim pas 13 ndeshjeve të aktivizuara te Benevento në Serinë B, si dhe Klaus Gjasula, i cili ndeshjen e fundit e ka luajtur me përfaqësuesen tonë përballë Islandës në shtatorin e shkuar. Dhe një tjetër alternativë e mbrojtjes Adrian Bajrami, gjithashtu është i dëmtuar dhe nuk do të jetë në këtë grumbullim të parë.

Sa i përket listës, ‘Top Channel’ ka mundur të zbulojë një pjesë të emrave që do të jenë në dispozicion të Sylvinhos duke filluar nga e hëna e ardhshme. Pas paraqitjeve të mira në kampionatin ukrainas në sulm do të rikthehet Taulant Seferi, i cili brenda 7 ditëve të fundit ka arritur të shënojë 4 gola me klubin e tij. Ndërkohë që emri i ri dhe ndër më të përfolurit do të jetë debutimi i Anis Mehmetit. Me kalimin e tij në Championship në kampionatin anglez me Bristol Cityn, sulmuesi shqiptar 22-vjeçar ka arritur të shënojë 9 gola në 26 ndeshje dhe pritet të debutojë përballë Polonisë.

Gjithashtu për repartin e sulmit, që duket të jetë disi më i kompletuari, do të jenë Myrto Uzuni, i cili po kalon një formë shumë të mirë, Sokol Cikalleshi dhe Xhuljano Skuka, ish-sulmuesi i Partizanit që në merkaton e drimrit theu dhe rekordin e transferimeve nga Superliga me kalimin për 1.4 milion euro tek Metzi në kampionatin francez.

Sa i përket mesfushës, priten të të jenë Amir Abrashi, Qazim Laci, Kristian Asllani, Enis Çokaj, Endri Çekici, Ylber Ramadani, Odise Roshi dhe Nedim Bajrami. Reparti i mbrojtjes do të ketë Elsajed Hysajn, Marash Kumbullën, Ardian Ismajlin, Enea Mihaj, Ivan Balliun, Ermir Lenjanin dhe risinë e Superligës, që është futbollisti i Partizanit, Andi Hadroj.

Një tjetër problematikë e grumbullimit të kombëtares është pika më e fortë që dikur kemi patur, porta. Etrit Berisha i lënë jashtë skuadrës së Torinos, jo vetëm që nuk akvitizohet prej kohësh, por ndeshja e tij e fundit e plotë ka qenë qershori i vitit 2022, përballë Izraelit. Tomas Strakosha, larg formës kur ishte portier i parë tek Lazio në Serinë A me kalimin në Premier League tek Brentford, ka koleksionuar vetëm 3 ndeshje dhe e fundit në muajin janar.

Ndërkaq portieri i tretë në listë do të jetë Elhan Kastrati, portieri i Citadelës në Serinë B italiane, i cili aktivizohet si portier i parë, por mungesa e eksperiencës ndërkombëtare sjell dyshime për besueshmërinë e tij në të tilla ndeshje.

Gjithsesi, mes kaq shumë mungesave dhe problemeve, stafi i ri drejtues i kombëtares me Sylnvinon, Zabaletën dhe Doriban në krye të pankinës, ka treguar entuziazëm dhe optimizëm për këtë fushatë të re eliminatore, ku kuqezinjtë e fillojnë me Poloninë, por në grup kanë gjithashtu, Çekinë, Ishujt Faroe dhe Moldavinë, teksa objektivi i tyre është kualifikimi.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll

Sport 14 Mars 2023, 15:09

"Yann Sommer e mbajti fjalën”…

GJERMANI - Yann Sommer, portieri i Bayern Munich, pas ndeshjes së kthimit të Champions League në ‘Allianz Arena’, premtoi se do t'i...