Politike

Pronat e ushtrisë/ SPAK merr në pyetje Olta Xhaçkën, ministrja: Shpifje të opozitës, nuk ka asnjë shkelje nga ana ime

Xhaçka po pyetet si person në dijeni, por tha se nuk ka pasur asnjë shkelje ligji dhe se Saranda do të bëhej me një port turistik, por pa cënuar bazën detare.

13 Mars 2023, 13:06 Nga F.M
Pronat e ushtrisë/ SPAK merr në pyetje Olta Xhaçkën,
Olta Xhaçka

TIRANË- Ministrja e Punëve të Jashtme Olta Xhaçka ka deklaruar se është vendosur në dispozicion të drejtësisë, referuar hetimeve të nisura për privatizimin e bazës detare në Sarandë. Ministrja u paraqit në dyert e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe para se të futej brenda, në një prononcim për mediat, hodhi poshtë akuzat e ngritura. Xhaçka po pyetet si person në dijeni, por tha se nuk ka pasur asnjë shkelje ligji dhe se Saranda do të bëhej me një port turistik, por pa cënuar bazën detare. Denoncimet e bëra ajo i konsideroi shpifje dhe tha se përgjigjen do ta marrin në përfundim të hetimeve. 

Pjesë nga prononcimi i Xhaçkës: 

Pa diskutim që unë jam në dispozicion të drejtësisë. Kjo është arsyeja për të cilën kemi punuar, kemi luftuar dhe kemi votuar që të gjithë të jemi në dispozicion të drejtësisë për të dhënë shpjegime, për t’u pyetur dhe për të dhënë përgjigje për të gjitha ato çështje që hetohen. Dhe, patjetër që unë nuk bëj përjashtim. Është e mirëseardhur dita për mua kur do të marrin përgjigje nga drejtësia edhe shpifje të ulëta si ajo e përdorimit të aseteve publike për arsye elektorale por edhe alarmi fals që asete që kanë qëndruar mes ndryshkut, do të kthehen sot në asete me vlerë siç është rasti i portit të Sarandës.

Prokuroria e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit (SPAK) ka vendosur në sekuestro preventive bazën detare në Sarandë. Vendimi erdhi pas denoncimit të Artur Meçollarit për privatizimin e pronave të ushtrisë. Për këtë çështje ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, aktualisht deputet i PS-së, Bardhyl Kollçaku u paraqit në SPAK ku u mor në pyetje bashkë me Artur Meçollarin, denoncuesin e tij. E radhës ishte ministrja Xhaçka. 

 

olta xhacka ne spak dosja e bazes detare

Sondazh

Poll