Politike

“Alarmi i fundit”/ Rama: Paga minimale do shkojë 450 deri në vitin 2025, privati të reflektojë se po na largohen punonjësit

Kreu i qeverisë e krahasoi situatën me disa vite më parë dhe tha se nëse më herët që gjithë ankoheshin se nuk kishte vende pune apo punonjës të mirë, sot problem është kthyer mungesa e krahut të punës. 

13 Mars 2023, 12:27 Nga F.M
“Alarmi i fundit”/ Rama: Paga minimale do shkojë 450 deri
Edi Rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se paga minimale e punonjësve në Shqipëri pritet të rritet deri në 450 mijë lekë deri në vitin 2025. Në fjalën që mbajti në prezantimin e planit të zhvillimit për Tiranën, Rama foli për largimin e punonjësve nga Shqipëria dhe e konsideroi alarmin e fundit. Ai i bëri thirrje sektorit privat që të heqë dorë nga informaliteti, nga dhënia e pagave në mënyrë të ndarë, në bankë dhe dorë, pasi sipas tij, kjo gjë po sjell largimin e punëtorëve nga Shqipëria. Kreu i qeverisë e krahasoi situatën me disa vite më parë dhe tha se nëse më herët që gjithë ankoheshin se nuk kishte vende pune apo punonjës të mirë, sot problem është kthyer mungesa e krahut të punës. 

Pjesë nga fjala e Ramës: 

Ajo që ka filluar sot të ndjehet është alarmi i fundit, humbja e burimeve njerëzore. Po rrezikon të kthehet në një sëmundje të pashërueshme. Deri dje ishte problem fakti që s’kishte vende pune dhe s’kishte profesionistë, sot problem është që s’ka punëtorë, aq më tepër në kushtet kur bota, marrim shembull Gjermaninë, po hyn në një fazë krize për punëtorë. Përfytyroni se në çfarë presioni mund të gjendet Shqipëria. Duhet të bëjmë gjithçka që nivelet e pagave të formalizohen dhe të bëhet çmos që të uniformizohen, që këto të mos jenë iniciativa sporadike e një sipërmarrësi, por një rezultat i një qasjeje kombëtare. Ky është një moment delikat. Ky është momenti më kritik në historinë e këtyre transformimeve pas daljes në rrugën e lirisë dhe të ekonomisë së tregut që të gjitha palët të bëhen bashkë. Me palë nuk kam parasysh palët politike, se bërja bashkë e tyre është mision i pamundur, dhe jo vetëm energji e humbur por edhe kohë  e humbur gjithashtu. Me palë kam parasysh në radhë të parë të gjithë sipërmarrjen. Jemi në një fazë ku duhet të synojmë më këmbëngulje dhe kuroajo rritjen e vazhdueshme të pagave. Jemi në një fazë kur duhet ta konsiderojmë këtë dhe vitet që vijnë si kohën maksimale që kemi për të kapërcyer hendekun që rrezikon të bëhet i pakapërcyeshëm. Kjo është shumë më e lehtë ta thuash se sa ta bësh. Është më e vështira nga të tëra, se kjo është ajo që na ballafaqon më egërsisht në mënyrë të pashmangshme mes dëshirës dhe mundësive. Nga ana tjetër nuk është e pamundur që të bëjmë më shumë, hap pas hapi dhe të synojmë me patjetër që njerëzit tanë në vendin tonë, qofshin ata në sektorin publik apo privat, të mos ndihen të pavlerësuar, sfiduar ditë-natë nga mundi i pashpërblyer dhe nga stresi i tundimit për t’u larguar. Ne nuk hyjmë dot në konkurrencë as me Gjermaninë apo vendet e tjera të destinacionit të atyre që largohen kur vjen puna tek shpërblimi i fundit të muajit. Ne kemi detyrën dhe mundësinë që të hyjmë në një ndërveprim shumë të hapur mes të gjitha palëve për të garantuar që njerëzit në të gjitha fushat e jetës të marrin atë që është maksimumi i mundshëm i këtij vendi. Sipërmarrja private duhet të bëjë një reflektim pa humbur kohë, sepse duke shtrënguar dorën më shumë se ç'duhet dhe duke i lënë gjithmonë të fundit ata që në fakt janë të parët fare, i ka hapur vetes një gropë që nëse nuk nxiton ta mbyllim sot, do bëhet e pambyllshme edhe për disa vite, një gropë që vjen si rezultat i humbjes së kapitalit njerëzor. Sipërmarrja nuk mund të vazhdojë t’i japë një pjesë të pagës përmes bankës, një pjesë nën dorë.

edi rama

Sondazh

Poll