Bota

“Polic i mirë, polic i keq”, si e shohin mediat politikën për emigrantët në Britaninë e Madhe, dallimi mes Sunak e Braverman

Sunak zgjedh tone të ulëta dhe fjalë të buta për të përçuar çdo lajm.

7 Mars 2023, 21:58 Nga F.M
“Polic i mirë, polic i keq”, si e shohin mediat politikën
Rishi Sunak dhe Suella Braverman

BRITANI E MADHE- Jon Craig, gazetari i Sky News thotë se politika që po bëhet nga kryeministri i Britanisë së Madhe Rishi Sunak dhe Suella Braverman është si loja ‘polic i mirë, polic i keq’. Në shkrimin e bërë për Sky News, Craig thotë se Sunak po luan policin e mirë. Ai del në këtë përfundim nisur nga fakti që edhe sikur të ketë për të thënë diçka shumë të keqe apo të rëndë, Sunak zgjedh tone të ulëta dhe fjalë të buta për ta përçuar atë gjë. Krejt ndryshe nga Braverman, që siç duket ka marrë përsipër të bëjë ‘policin e keq’.

Shkrimi:

Pas tonit luftarak dhe fjalëve herë pas here provokuese të Suella Braverman, Rishi Sunak vjen i qetë dhe i arsyeshëm në konferencën e tij për shtyp. Politika e tij "Stop the Boats" mund të jetë e diskutueshme dhe e kundërshtuar ashpër nga kundërshtarët, por duke gjykuar nga sjellja e tij, të jep përshtypjen sikur ai po shpërndante pako mirëseardhjeje për emigrantët në vend të kërcënimit për dëbimin nga vendi. Është pjesë e stilit të tij kjo gjë. Politika mund të jetë e ashpër, por ai e bën atë të tingëllojë krejtësisht e drejtë. Në një ditë të madhe për qeverinë, duke përshkruar një nga pesë prioritetet, kryeministri i qetë dhe kombinimi i tij me Suella Braverman, duket se është polic i mirë, polic i keq. 

Prej ditësh bëhet thirrje nga Qeveria e Britanisë së Madhe e cila ka paralajmëruar grupet e trafikantëve që kalojnë emigrant të paligjshëm përmes kanalit të La Manshit. Kryeministri i Britanisë, Rishi Sunak dhe Suella Braverman kanë paralajmëruar se do të fusin në fuqi projektligjin e ri që synon të lërë jashtë shqyrtimit të gjitha format e kërkesave për azil që janë bërë nga ata emigrantë që futen në vend përmes gomoneve.

Rishi Sunak dhe Braverman do të udhëtojnë për në Paris të premten për të folur rreth krizës së emigrantëve. Gjatë muajve të fundit, ai ka qenë në bisedime intensive me Sektorin e Brendshëm dhe një rreth të vogël, të besuar të brendshëm të ministrave dhe këshilltarëve për të përpiluar një plan. Në vitin 2022, më shumë se 45,000 njerëz mbërritën në Mbretërinë e Bashkuar me anije të vogla krahasuar me 28,000 një vit më parë. Mes tyre janë raportuar se kanë qenë 10 mijë shqiptarë.

Emigrantët shqiptarë kanë qenë kryefjala e mediave britanike muajt e fundit dhe sekretarja e Brendshme Suella Braverman është treguar mjaft e ashpër me ta. Referuar numrit të burrave shqiptarë që kanë ‘zbarkuar’ në brigjet britanike, rreth 10 mijë, Sekretarja e Brendshme britanike është shprehur se vendi po pushtohet prej tyre. Këto fjalë nxitën një retorike të ashpër dhe përgjigjia e kryeministrit Edi Rama nuk mungoi. 

Gjuha e Braverman është krahasuar me atë të nazistëve. Një e mbijetuar e Holokaustit rrëfeu për Sky News se gjuha e përdorur nga Sekretarja e Brendshme Suella Braverman për të përshkruar emigrantët është shumë e ngjashme me atë që u përdor në Gjermaninë naziste kundër popullit hebre. Joan Salter, 83 vjeçe, tha se kur dëgjonte termat 'tufë' dhe 'pushtim', i kujtohej gjuha e përdorur për të justifikuar vrasjen e familjes së saj dhe miliona të tjerëve. 

rishi sunak suella braverman shqiptaret ne angli

Sondazh

Poll