Bota

Plani evropian për Kosovën e Serbinë/ Maliqi: Dilema nuk është nëse do të krijohet Asociacioni, por kur do të krijohet

Sipas marrëveshjes, Maliqi thotë se Serbia nuk e pengon anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Por, askush nuk e ndalon Rusinë e Kinën ta bëjnë një gjë të tillë.

28 Shkurt 2023, 09:53 Nga a.l
Plani evropian për Kosovën e Serbinë/ Maliqi: Dilema nuk
Agon Maliqi

KOSOVË- Njohësi i çështjeve politike, Agon Maliqi ka analizuar situatën pas takimit të djeshëm Kurti-Vuçiç dhe planit evropian. Përmes një postimi në faqen e tij zyrtare në rrjetin social 'Facebook' ka shkruar se nuk ka dilema nëse do të krijohet Asociacioni, por kur do të krijohet. Sipas tij dokumenti nuk është iqartë.

Dilema këtu nuk është nëse asociacioni do të krijohet ose jo, por kur do të krijohet. Serbia e do si hap të parë dhe zhbllokues të hapave të tjerë, Kosova me gjasë po e kushtëzon me marrëveshjet e tjera dhe me korrjen e përfitimeve. Pak a shumë si parimi i qeverive paraprake: ‘nuk ka marrëveshje për asgjë pa u arritur marrëveshje për gjithçka. Në hyrje të tekstit Kosova efektivisht e pranon një fusnotë të dytë apo edhe ia zgjat jetën fusnotës së parë, teksa flitet se palët e arrijnë marrëveshjen “pa paragjykim ndaj pikëpamjeve të ndrshme të Palëve mbi çështje fundamentale, përfshi ato mbi statusin”. Pra Kosova pajtohet me idenë që Serbia të mos e njohë”, ka shkruar Maliqi.

Sipas marrëveshjes, Maliqi thotë se Serbia nuk e pengon anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Por, askush nuk e ndalon Rusinë e Kinën ta bëjnë një gjë të tillë.

Disa pika të dokumentit i hapin shtigje Kosovës por nuk japin garanci dhe varen nga vullneti i shteteve mike për të na ndihmuar – pra kërkojnë proces paralel diskutimesh me ta. Serbia zotohet (Artikulli 4) se nuk do ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare. Çështja është se asgjë nuk e pengon Rusinë dhe Kinën që ta kryejnë këtë punë për Serbinë në OKB dhe as 5 shtetet në Evropë për të vazhduar të na pengojnë në NATO dhe BE. Kosova vitin e fundit në vend se të investojë energji dipomatike te kjo çështje, vendosi të harxhojë kot mirëbesim dhe kreditë te shtetet mike me aventurat pa krye në veri. Kur e lexon tekstin e marrëveshjes dhe e sheh ekzaltimin e militantëve për mospranimin e asociacionit nuk habitesh aspak se si njerëzit besojnë në mitologji fetare të tipit “Jezusi e ktheu ujin në venë!”. Marrëveshja thjesht rikonfirmon se Kosova i ka humbur tetë vite kot me çmenduri politike për t’u kthyer aty ka qenë. Te shishja e ujit. Venë ka vetëm në sytë e besimtarëve”, përfundon postimi i Agon Maliqit.

Zbatimi i propozimit evropian për normalizimin e raporteve është hapi i radhës që Kosova dhe Serbia duhet të ndërmarrin në një periudhë relativisht të shkurtër kohore. Propozimi, që palëve iu dorëzua shtatorin e kaluar, u pranua gjatë takimit të 27 shkurtit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në praninë e ndërmjetësuesve evropianë. Ky propozim titullohet: “Marrëveshja drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë”.

dialogu kosove-serbi

Sondazh

Poll