Bota

'Ajo që paralajmëruam ndodhi'/ Krasniqi reagon për takimin tre-palësh në Bruksel: Kosova humbi njohjen dhe fitoi Asociacionin

Ai gjithashtu shprehet se në Propozimin Evropian nuk flitet për njohjen nga pesë vendet mos-njohëse të BE, nuk flitet për hapjen e rrugës drejt anëtarësimit në NATO, as për marrjen e statusit kandidat për anëtarësim në BE.

28 Shkurt 2023, 08:43 Nga a.l
'Ajo që paralajmëruam ndodhi'/ Krasniqi reagon për
Memli Krasniqi

KOSOVË- Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka reaguar për takimin e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç në Bruksel.  Përmes një postimi në faqen e tij zyrtare në rrjetin social 'Facebook', Krasniqi thekson se sipas tij Kosova humbi njohjen dhe fitoi Asosacionin e komunave me shumicë serbe. Ai gjithashtu shprehet se në Propozimin Evropian nuk flitet për njohjen nga pesë vendet mos-njohëse të BE, nuk flitet për hapjen e rrugës drejt anëtarësimit në NATO, as për marrjen e statusit kandidat për anëtarësim në BE.

"Ajo që kishim paralajmëruar edhe ndodhi. Kushtet dhe qëndrimet u shkrinë para interesave personale dhe ambicieve për pushtet të Kryeministrit Kurti. Kosova humbi njohjen dhe fitoi asociacionin. Duhet thënë zëshëm dhe qartë: tashmë është edhe zyrtarisht evidente se propozimi evropian nuk parasheh njohjen e ndërsjellë, si kriter kryesor për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe hapjen e perspektivës evropiane për shtetit tonë. Aty nuk flitet për njohjen nga pesë vendet mos-njohëse të BE, nuk flitet për hapjen e rrugës drejt anëtarësimit në NATO, as për marrjen e statusit kandidat për anëtarësim në BE. Për dy vjet me radhë, ne e kemi mbështetur Kryeministrin Kurti në raport me Serbinë. E kemi inkurajuar që të koordinohet me aleatët tanë ndërkombëtarë dhe i kemi ofruar edhe propozime konkrete në lidhje me marrëveshjen finale me njohjen e ndërsjellë në qendër. Duke e injoruar çdo ndihmë e këshillë që ka ardhur nga ne, kokë në vete dhe në kundërshtim me interesat afatgjate të Republikës së Kosovës, Kryeministri Kurti, përmes veprimeve dhe politikave të gabuara, degradoi pakthyeshëm procesin e dialogut. Rrjedhimisht, ai mundësoi heqjen e marrëveshjes finale me njohjen e ndërsjellë në qendër dhe i solli vendit një marrëveshje të përkohshme me asociacionin në qendër. Krahas rritjes enorme të emigrimit si pasojë e keqqeverisjes, Kryeministri Kurti sonte tkurri edhe sovranitetin e shtetit tonë. Prandaj, 27 shkurti i vitit 2023, për Kosovën, me Kryeministër Albin Kurtin, shënon një mundësi të humbur për shtetin tonë që ta përmbyllë përgjithmonë konfliktin e ngrirë me Serbinë", shkruan Krasniqi. 

Dje më datë 27 shkurt u zhvillua takimi i gjashtë i kryeministrit Albin Kurti dhe liderit serb Aleksandër Vuçiç për çështjen e normalizimit të marrdhënieve mes dy vendeve. Në takimin që zgjati më shumë se 5 orë mes dy liderëve dhe zyrtarëve të BE-së Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak, nuk pati asnjë marrveshje dhe takimi i radhës u shty për më datë 18 Mars në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Shefi i diplomacisë së BE-së për çështjen e dialogut Kosovë-Serbi theksoi se dy palët pranuan propozimin e planit evropian, por duhen negociata tëtejshme për të firmosur planin e zbatimit. 

 

dialogu kosove-serbi

Sondazh

Poll