Politike

'Premtimi Ramës për votën e diasporës'/ PD: Një gënjeshtër e radhës! 3 marsi ftesë edhe për shqiptarët e mërgatës sonë

Garo deklaroi se Rama ka një përkujdesje speciale, jo për ata që punojnë ndershmërisht për të mbajtur familjet dhe nderuar Shqipërinë, por për trafikantët dhe eksponentët e krimit të organizuar.

27 Shkurt 2023, 14:08 Nga A.B
'Premtimi Ramës për votën e diasporës'/ PD:
Floriana Garo

TIRANË- Partia Demokratike deklaron se premtimi i kryeministri Edi Rama për diasporën është gënjeshtër. Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e partisë, Floriana Garo i bëri thirrje emigrantëve shqiptarë që ndodhen në Itali dhe në Greqi, që në datën 3 mars të mbushin sheshin, duke iu bashkuar protestës së Partisë Demokratike. 

Garo deklaroi se Rama ka një përkujdesje speciale, jo për ata që punojnë ndershmërisht për të mbajtur familjet dhe nderuar Shqipërinë, por për trafikantët dhe eksponentët e krimit të organizuar.

DEKLARATË NË SELI ZËDHËNËSJA E PD, FLORIANA GARO

1 miliardë euro ose 6.7 përqind e Prodhimit të Brendshëm Bruto të Shqipërisë, vjen nga dërgesat e diasporës shqiptare, shkruhet në raportin e fundit të Eurostat. Keto te dhena faktojne kontributin e jashtëzakonshëm të emigracionit shqiptar në ekonominë e familjeve shqiptare dhe për këtë, ata meritojnë mirënjohje të pakufishme.
Por nga ana tjeter ky lajm, së pari, na tregon se Shqipëria nuk e mban në atdhe popullin e vet, dhe kjo vjen prej politikave të dështuara qeveritare, dhe jo se shqiptarët nuk e duan vendin e tyre.
Shqipëria nuk ka ndërtuar dot një ekonomi funksionale, nuk e ka ulur dot papunësinë dhe, në vend që të tërheqë të ikurit në emigrim në dekadën pas rënies së komunizmit, janë me qindra mijëra ata që largohen nga vendi dhe u shtohen atyre. Së dyti, këto dërgesa financiare janë të larta sepse, po sipas Eurostat, në dekadën e fundit e kanë lënë Shqipërinë 937 mijë vetë. Kjo shifër është dramatike dhe asgjë nuk e shpjegon në mënyrë më cilësore qeverisjen e papërgjegjshme të Edi Ramës.
Së treti, kjo shifër shpjegon faktin se, edhe ata që mbeten në vend nuk e sigurojnë jetesën, ose mbijetesën, falë punës apo të ardhurave që vijnë prej saj saj, por si shkak i ‘ ndihmës’ që ju dërgojnë fëmijët ose të afërmit që punojnë jashtë.
Së katërti, kjo shifër dhe ky kujdes i diasporës shqiptare për të afërmit dhe vendin, e thotë më qartë se asgjë, borxhin e madh që e gjithë klasa politike i ka ndaj emigracionit dhe diasporës.
Prej më shumë se 100 vjetësh ata japin për dheun e tyre dhe të të parëve dhe në këmbim nuk marrin asgjë.
Premtimi i Edi Ramës për votën e diasporës nuk është më shumë se një gënjeshtër në radhën e shumë të tillave, që ai i thërriste poshtë e lart nëpër Shqipëri në vitin 2013.
Në 10 vjet Edi Rama, që e filloi vetë si emigrant, jo vetëm që nuk u dha të drejtën e votës atyre që gjeti në diasporë, por e shumëfishoi me thuajse 1 milion vetë numrin e tyre.
Atë mungesë fatale vëmendjeje për ta, bëri sikur e zëvendësoi me Ministrinë e Diasporës, një shpikje oruelliane, që nuk bëri asgjë, vetëm sa u tall me diasporën duke i organizuar një kongres në Tiranë.
Përkundër kësaj, Rama ka një përkujdesje speciale, jo për ata që punojnë ndershmërisht për të mbajtur familjet dhe nderuar Shqipërinë, por për trafikantët dhe eksponentët e krimit të organizuar.
Për ata që ministri i tij Gjiknuri i quan “çunat e Londrës, Rama ka gati një paketë amnistie fiskale.
Ky është botëkuptimi i Edi Ramës për qeverisjen dhe emigracionin shqiptar: të ndershmit le të mbajnë me bukë takspaguesit e tij, të cilëve nuk u jep as punë dhe as siguri, ndërsa kriminelët le t’i kenë portat e hapura, që me paratë e zeza të sundojnë në Shqipëri bashkë me të dhe taulantët, damjanët dhe belindat e tij.
3 marsi është një ftesë edhe për shqiptarët e mërgatës sonë në Itali e Greqi, por sidomos për familjarët e tyre që të mbushin shesin dhe t’ja thonë dy fjalë regjimit që shpërngul shqiptarët.

floriana garo partia demokratike

Sondazh

Poll