Sport

Spanjoli De Gea dhe shtylla, penguan fitoren e Barcelonës. ‘Show’ në Camp Nou, kualifikimi pas një jave në Old Trafford...

Ndeshjet e kthimit të 1/16-ave të Europa League do të zhvillohen pas një jave, më 23 shkurt

16 Shkurt 2023, 21:22 Nga DOSJA
Spanjoli De Gea dhe shtylla, penguan fitoren e Barcelonës.

SPANJE - Ka përfunduar në barazim 2-2 një takimi madhështor në Camp Nou, ku të dy skuadrat u larguan me një rezultat të barabartë logjik. Gjithçka u luajt në një pjesë të dytë me intensitet të çmendur, ku si ‘blaugranët’ dhe po ashtu ‘Djajtë e Kuq’ kërkonin ta fitonin ndeshjen. Në fund, katalanasit si zotër të shtëpisë ishin më kërkues, por portieri spanjol De Gea dhe shtylla e djathtë, ishin aleatë të United dhe penguan fitoren e Barcelonës.

Në pjesën e parë çdo skuadër ka pasur fazën e dominimit, ku United ka qenë disi më i rrezikshëm dhe ka përfituar nga hapësirat e mbrojtjes culé që vuan shumë, por që në fund ka një Ter Stegen që ruan të paprekur portën e tij. Dëmtimi i Pedrit, i cili ishte një nga më të mirët e Barçës, është problem për Xavi, që bën një 'arnim' me Sergi Roberton. 

Pas pushimit, në Camp Nou luhet një muzikë tjetër dhe do të vinë edhe golat. Në minutën e 51-të  Marcos Alonso shënon golin e parë, të cilin ia dedikon babait të tij, i cili u nda para pak ditësh nga jeta. Por gëzim i Barcelonës zgjat pak, vetëm tri minuta, pasi i zakonshmi Rashford befason Ter Stegen dhe barazon në 1-1. Në të 60-tën është po Rashford që bën një rrëmujë në portën katalanase dhe Koundé, me gjoks shkakton autogol.

Do të ishte më pas Raphina në minutën e 77-të, që kroson një top në zonë, të cilin Lewandowski nuk e arrin, por lëvizja e tij mjafton për të mashtruar De Gean dhe topi përfundon në rrjetë, duke barazuar në 2-2. Deri në përfundim, portieri spanjol i “Djajve’ dhe një shtyllë do të pengonin Ansu Fatin t’i siguronte fitoren Barcelonës. Gjithçka përfundon në 2-2, duke e lënë të hapur çështjen e kualifikimit, që do të vendoset pas një jave në Old Trafford, të enjten e ardhshme!

Në ndeshjet e tjera Salzburgu mundi Romën 1-0 në ndeshjen e parë të ‘play-off’-it, ku Capaldo (88’) ishte autor i golit të fitores. Në Varshavë të Polonisë, Shakhtar Donesk fitoi 2-1 ndaj francezëve të Rennes. Kryskiv (11’) dhe Bondarenko (45’+1) shënuan për ukrainasit, ndërsa Toko Ekambi (59’), ngushtoi epërsinë. Në takimin e Amsterdamit, Ajax dhe Union Berlin u ndanë në barazim 0-0.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll