Politike

Berisha: Ky regjim e ka humbur legjitimitetin, revolucioni do vazhdojë më 3 Mars

Po ashtu, ai ka theksuar revolucioni do të vazjdojë paqësisht më 3 mars në protestën e radhës.

16 Shkurt 2023, 12:34 Nga I.A
Berisha: Ky regjim e ka humbur legjitimitetin, revolucioni do vazhdojë
Sali Berisha

TIRANË-  Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka deklaruar se regjimi i Ramës e ka humbur legjitimitetin. Gjatë fjalës për mediat, Berisha ka theksuar se regjimi i Ramës është monist dhe i bazuar mbi vjedhjen e votës. Po ashtu, ai ka theksuar revolucioni do të vazjdojë paqësisht më 3 mars në protestën e radhës.

"Revolucioni marshon dhe sot para parlamentit, deputetët tanë në sallë, qytetarët në protestë, dhanë mesazhet më të fuqishme, në të cilat kërkohet largimi i Edi Ramës. Çdo ditë, ky regjim fakton se ka humbur legjitimitetin e tij. Nuk është më regjim legjitim. Ky regjim erdhi bazuar në dhunimin e zgjedhjeve, bazuar në vjedhjen e qytetarëve, bazuar në dhunën ndaj tyre, krimin dhe drogën. Ky regjim nuk ka më asnjë ditë legjitime të qëndrojë. Ky është një regjim monist, që e ka shndërruar parlamentin, në një bunker të fjalës së ndaluar. Ky është një regjim monist që e përdor parlamentin për të miratuar ligje për klanet e drogës, për klientelën e tij, për ministrat e tij, për të fshehur vrasje kriminale. Ky regjim mobilizon të gjithë vjedhjet që bën për të qëndruar në pushtet. Kjo e jona nuk është betejë për PD-në apo deputetët e saj. Kjo është betejë për shqiptarët.
A nuk kanë të drejtë qytetarët të mësojnë se nga erdhën 225 mijë dollarë që iu dhanë parkingjeve për McGonigal?

A nuk kanë të drejtë të mësojnë se cilët janë dëshmitarët që shkuan për të dëshmuar në Europë për t’i futur thikën pas shpinës opozitës? Pra, ne çfarë kërkojmë? Ne kërkojmë të hetojmë, sepse çdo qytetar shqiptar kërkon t’i dijë këto të vërteta. Nuk mund t’i lëmë në terr. Revolucioni vazhdon! Protesta kombëtare është më 3 mars, në të cilën bashkohen të gjithë shqiptarët kundër këtij regjimi, që po vjedh pa dallim. Mos harroni se në një kohë kur qytetarët shqiptarë numërojnë kafshatën, vuajnë dhe nuk u del, i nisin fëmijët në dhera të tjera, këta qeveritarë, jo këta, sekretaret e tyre mbushin dyshekët me euro. I them këto për të kërkuar mirëkuptimin e çdo qytetari shqiptar, se rrugë tjetër përveçse të bashkohemi kundër kësaj qeverie, nuk ka. Çdo ditë e tyre në pushtet nuk është ditë e mirë," tha Berisha.

sali berisha

Sondazh

Poll