Politike

“Pa kushte”, Rama ftesë publike për dialog për opozitën joparlamentare: Të bëjmë bashkë Reformën Zgjedhore

18 Shtator 2019, 12:27 Nga DOSJA
“Pa kushte”, Rama ftesë publike për dialog për

TIRANË- Kryeministri Edi Rama, me anë të një letre u ka bërë sot ftesë publike për dialog krerëve të partive opozitare. Rama ka ftuar Bashën, Kryemadhin, Dukën, Ndokën, Dulen e Mediun në një tryeze për të dialoguar për Reformën Zgjedhore.

Kreu i qeverisë që në nisje të letrën vë në dukje ndasitë që ka me opozitën, por shton se si ai dhe ata janë të dënuar që të bashkëjetojnë në politikë. Për Ramën janë zgjedhësit, ata që kanë dhënë mandate përfaqësimi, disave për të qeverisur e disave për të bërë opozitë.

Për Ramën dhe pse opozita është jashtë parlamentit, sërish ata kanë një pjesë jo të vogël të popullit që i mbështet prandaj Kuvendi ka rezervuar një vend të posaçëm, në Komisionin e Reformës Zgjedhore.

Ju ftoj të takohemi e të bashkëbisedojmë për këtë sfidë të përbashkët, në çdo kohë e vend që do t’ju vinte për shtat – sigurisht në rast se ju jeni të interesuar të përfshiheni në këtë proces. Pa kushte”, shkruan Rama.

LETRA E PLOTË

FTESE PUBLIKE DREJTUESVE TE OPOZITES JOPARLAMENTARE Lulzim Basha, Monika Kryemadhi, Nard Ndoka, Vangjel Dule, Agron Duka, Dashamir Shehi, Fatmir Mediu

Të nderuar zotërinj, e nderuar zonjë,

Ju drejtohem publikisht në përpjekjen për të krijuar një hapësirë dialogu e ndërveprimi mes nesh, lidhur me një sfidë të përbashkët të një rëndësie kombëtare, Reformën Zgjedhore.

Kundërshtitë tona në aspektin politik janë botërisht të njohura dhe pozicionet respektive, në raport me hapësirën institucionale të vendit po ashtu.

Sidoqoftë, përtej skajshmërisë së dallimeve tona, ne as nuk e kemi zgjedhur njëri-tjetrin dhe as nuk e zhbëjmë dot ekzistencën e njëri-tjetrit. Pra jemi të dënuar të bashkëjetojmë pavarësisht jopëlqyeshmërisë reciproke, për sa kohë të tjerët, zgjedhësit, na kanë dhënë mandate përfaqësimi, disave për të qeverisur e disave për të bërë opozitë.

Ju vendosët t’i digjni mandatet e hyrjes në Kuvend dhe të vetëpërjashtoheni nga jeta parlamentare e kësaj legjislature. Por gjithësesi, deri në zgjedhjet e qershorit 2021, ju jeni të votuar për të përfaqësuar një pjesë jo të vogël të zgjedhësve shqiptarë. Prandaj e dhe Kuvendi ka rezervuar një vend të posaçëm për ju, në Komisionin e Reformës Zgjedhore.

Procesi ka nisur në Kuvend me opozitën parlamentare dhe do të mbyllet në Kuvend natyrisht, por mungesa juaj ne institucionin më të lartë vendimmarrës të republikës, nuk ju përjashton vetvetiu nga hapësira e diskutimit për Reformën Zgjedhore. Përkundrazi. Të paktën ky është opinioni im dhe duke vënë re edhe mungesën tuaj në vetë tryezën e Komisionit Zgjedhor, ju ftoj të takohemi e të bashkëbisedojmë për këtë sfidë të përbashkët, në çdo kohë e vend që do t’ju vinte për shtat – sigurisht në rast se ju jeni të interesuar të përfshiheni në këtë proces. Pa kushte.

Ju faleminderit

EDI RAMA

Tiranë, 18 shtator 2019

Procesi i Reformës Zgjedhore ka nisur në Kuvend dhe është krijuar një komision i posaçëm për mbarëvjajtjen e saj. Ndërkohë ajo që bie në sy në letrën e Ramës është se ka harruar pa ftuar një pjesë të opozitës, Shpëtim Idrizin. Idrizi dhe Partia e tij, PDIU janë rreshtuar në krahun e opozitës dhe janë në koalicion me PD-në.

(A.B. Dosja.al)

Tirana është boshatisur për ditët e pushimit. Cilën nga ritet e shenjta po ndiqni:

View Results

politike politike dialogu opozite-maxhorance edi rama rama fton opoziten per dialog rama leter opozites dialogu opozite-maxhorance edi rama rama fton opoziten per dialog rama leter opozites

Sondazh

Poll