Aktualitet

Si u arrestua Alda Klosi mbrëmjen e 3 Shkurtit? Gazetari: Në banesë kishte lënë nënën dhe djalin, vetë shkoi me avokat

Sipas gazetarit, aty është gjetur djali e nëna e Klosit dhe fillimisht është kontrolluar banesa. Një orë pas kontrollit, Klosi ka shkuar aty bashkë me avokatin dhe është vënë në pranga.

7 Shkurt 2023, 23:10 Nga F.M
Si u arrestua Alda Klosi mbrëmjen e 3 Shkurtit? Gazetari: Në
Blendi Fevziu dhe Merin Maçi

TIRANË- Gazetari Merin Maçi ka treguar rrethanat e arrestimit të ish-zyrtares Alda Klodi. Në një lidhje me Skype në "Opinion", Maçi tha se policia ka shkuar në shtëpinë që iu vodh Klosit, në 'Rrugën e Kosovarëve'. Sipas gazetarit, aty është gjetur djali e nëna e Klosit dhe fillimisht është kontrolluar banesa. Një orë pas kontrollit, Klosi ka shkuar aty bashkë me avokatin dhe është vënë në pranga.

Pjesë nga bisseda:

Blendi Fevziu: Në çfarë rrethanash është ndaluar Alda  Klosi të premten në mbrëmje?

Merin Maçi: Prej orës 18:00 është lëshuar nga ana e Prokurorisë së Tiranës një urdhër ndalimi për zonjën Alda Klosi. Ka qenë një urdhër ndalimi që është lëshuar në kushtet e emergjencës për sa kohë kishte kaluar orari zyrtar për të marrë miratim nga Gjykata e Tiranës dhe menjëherë janë vënë në lëvizje oficerët e Policisë së Drejtorisë së Tiranës. Kanë qenë disa agjentë të Sektorit të Krimit Ekonomik Financiar që kanë mbërritur në “Rrugën e Kosovarëve” aty ku ishte banesa me qera e zonjës Alda Klosi. Njëkohësisht kanë nisur një verifikim edhe në banesën që është në pronësi të zonjës Klosi në “Rrugën e Durrësit”, në afërsi të ish-Mozaikut të Tiranës.

Blendi Fevziu: Ore  kush është Mozaiku i Tiranës se unë u bëra 53 vjeç, s’e di kush është Mozaiku i Tiranës.

Merin Maçi: Është në afërsi të “Rrugës së Durrësit”, konkretisht në adresën e rrugës “Naim Frashëri”, aty  ku është një nga banesat e vetëdeklaruara nga zonja Alda Klosi.

Blendi Fevziu: Mozaiku i vjetër i Tiranës? Atë po.

Merin Maçi: Në momentet e para kur kanë mbërritur rreth orës 19:00  agjentët e Policisë në ambientin e marrë me qera nga zonja Klosi, në banesë nuk ka qenë vetë zonja, por ka qenë nëna e saj dhe djali 13-vjeçar. Në këto momente është ushtruar kontroll banese në kuadër të urdhrit të lëshuara nga ana e Prokurorisë dhe pas disa tentativash për komunikim që është bërë me zonjën Klosi, rreth 1 orë pas mbërritjes të agjentëve të Policisë në banesën e saj, ajo ka mbërritur në këtë banesë me avokatin që e  ka përfaqësuar në këtë proces. Rreth orës 21:30 oficerët e Policisë së bashku me zonjën Klosi dhe avokatin e saj kanë vijuar me procedurat në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, aty ku janë komunikuar akuzat, 3 akuzat e ngritura nga Prokuroria e Tiranës pas rrëfimeve të bëra nga zonja Rozeta Dobi. Rreth orës 23:30  kanë përfunduar të gjitha procedurat e arrestimit të saj, orar ky i cili është pasqyruar dhe në deklaratën e Policisë së Tiranës. Vetëm disa orë më vonë zonja Klosi ka shfaqur probleme shëndetësore, sa i takon probleme në frymëmarrje dhe tensionit dhe është dërguar për kujdes shëndetësor në pavijonin e mjekësisë interne pranë QSUT, aty ku vijon të ndodhet për një afat të pacaaktuar derisa të vlerësohet e përshtatshme për t’u transferuar më pas në ambientet e burgut pas masës së caktuar nga Gjykata e Tiranës ku do të gjykohet edhe nga ana e stafit mjekësor i cili po kujdeset për shëndetin e saj.

blendi fevziu merin maci

Sondazh

Poll