Politike

Protestë në Surrel, qytetarët-Ramës: Faktet dolën! Jep dorëheqjen

Të rinjtë kërkojnë që kreu i qeverisë të largohet nga posti dhe të shkojë para drejtësisë për të marrë dënimin që sipas tyre meriton lidhur mbi hetimet e çështjes “McGonigal”.

6 Shkurt 2023, 15:55 Nga k.m.
Protestë në Surrel, qytetarët-Ramës: Faktet dolën! Jep
Pamje nga protesta

TIRANË- Protestë pranë shtëpisë së kryeministrit Edi Rama në Surrel. Një grup qytetarësh, të rinj të Forumit Rinor të Partisë Demokratike dhe të tjerë simpatizantë të PD janë mbledhur rreth 1 km larg nga shtëpia e kryeministrit dhe i kërkojnë të largohet nga detyra. Ata mbajnë pankarta në duar ku shkruhet “Faktet dolën, jep dorëheqjen”, teksa në foto shfaqet Rama dhe ish-zyrtari i FBI-së Charles McGonigal, duke dhënë mesazhin e tyre, teksa i paraprijnë protestës së 11 shkurtit.

Të rinjtë kërkojnë që kreu i qeverisë të largohet nga posti dhe të shkojë para drejtësisë për të marrë dënimin që sipas tyre meriton lidhur mbi hetimet e çështjes “McGonigal”. Në fjalën e tij për mediat, një prej protestuesve është shprehur se Rama është i vendosur të shkatërrojë opozitën.

“Nëse deri dje kërkonim që ai të largohej, sot kërkojmë që ai të ndëshkohet me burg. Kjo këtu është simbol i korrupsionit që ai me rrogë bashkie nuk do e bënte dot kurrë. Janë të paktën 2 mln euro të cilat Edi Rama i ka bërë me paratë e korrupsionit. Sot për fat ndiqet dhe nga FBI-ja. Është i gjithë shteti i SHBA në këmbë për të. Në vend të bashkëpunonte me partnerët tanë, me SHBA-të ai shkoi dhe korruptoi për të shkatërruar opozitën. Ai është i vendosur të na shkatërrojë, ne jemi të vendosur që ai të shkojë në burg”. Prandaj jemi këtu që të sensibilizojmë qytetarët,"-tha ai. 

Çfarë ka ndodhur?

Mbi një javë më parë, FBI arrestoi ish-zyrtarin e lartë të kësaj strukture, Charles McGonigal. McGonigal ka zhvilluar takime të njëpasnjëshme me kryeministrin Edi Rama dhe dy persona që në dosje emërtohen si ‘Personi A’ dhe ‘Personi B’, që janë përkatësisht Agron Nezaj e Dorian Duçka, të dy të lidhur me qeverinë shqiptare. Nezaj del në dosje si njeriu që i jep 225 mijë dollarë McGonigal në mënyrë që të ndërhyjë në FBI që të nisë hetimin për personin që po lobonte në SHBA për PD-në, në vitin 2017 kur drejtohej nga Lulzim Basha. Supozohet që bëhet fjalë për Nicolas (Nick) Muzin. Ndërsa Duçka del si njeriu që e shoqëron kudo ish-agjentin, paguan fluturimet e akomodimet e tij, si dhe i përcjell informacionet e nevojshme që do t’i shërbenin në nisjen e hetimit nga FBI. Rama mohon të ketë lidhje me akuzat e ngritura nga McGonigal. Pas publikimit të dosjes, Partia Demokratika ka organizuar një protestë që do mbahet më 11 shkurt para Kryeministrisë, e do të kërkojë largimin e Edi Ramës nga posti i kryeministrit./Dosja.al

protesta e pd 11 shkurt 2023 edi rama charles mcgonigal

Sondazh

Poll