Politike

Interpelanca për McGonigal/ Berisha: Linda e parlamentit na bllokoi në mënyrën më antiligjore, përjashtuan deputetët si nxënës shkolle

Berisha tha se u pranua interpelanca e Alibeajt për debat me Ramën, duke shtuar se kjo gjë tregon se ata i bashkërendisin. 

1 Shkurt 2023, 13:59 Nga F.M
Interpelanca për McGonigal/ Berisha: Linda e parlamentit na bllokoi në
Sali Berisha

TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha e ka konsideruar të turpshme përjashtimin e deputetëve nga Kuvendi, duke shtuar se e gjitha është bërë në mënyrë që të mos zhvillohej debati me kryeministrin Edi Rama për dosjen e ish-agjentit Charles McGonigal. Në mbledhjen e grupit parlamentar, Berisha tha se gjithçka është bërë me urdhër të kryeministrit Edi Rama dhe se sipas tij, kryetarja e Parlamentit Lindita Nikolla nuk u aprovoi kërkesën për mocion për debat me argumentin se deputetët ishin përjashtuar nga grupi me vendim të Enkelejd Alibeajt. Këtë vendim, Berisha e barazoi me atë të një mësuesi që nxjerr nga klasa nxënësit e shkollës. Pas refuzimit të mocionit të tyre për debat, Berisha tha se u pranua interpelanca e Alibeajt për debat me Ramën, duke shtuar se kjo gjë tregon se ata i bashkërendisin. 

Pjesë nga fjala e Berishës: 

Ne si grup parlamentar kemi detyrë të madhe, së pari në një debat dhe dialog intensiv me zgjedhësit tanë, t’u qartësojmë gjithçka. Pse është jetike kjo betejë, ky revolucion. Do e dorëzojmë ne? Kurrë, ky revolucion nuk do dështojë kurrë. Ky revolucion do të njohë vetëm fitore. Duhet të shpëtojmë Shqipërinë nga ky njeri. Ju jeni dëshmitarë se çfarë qëndrimesh mbahen ndaj nesh në parlament. Ju duhet të sqaroni zgjedhësit se ata nuk e dinë se në ç’mënyrë të turpshme dhe banditeske, sillet me urdhër të Edi Ramës, Linda e parlamentit. Duhet ta dinë se çfarë intrigash të ulëta thuren ndaj deputetëve shqiptarë në parlament. Siç na takonte dhe siç prisnin shqiptarët dhe miqtë tanë, kërkuam debat, firmosëm për të kërkuar debat për këtë aferë që ka tronditur, ka ulur në pikën më të thellë marrëdhëniet mes dy vendeve.

Çfarë u bë? Refuzuan në mënyrë antiligjore. Lexuan ato që kishin dhe votuan në mënyrë kriminale dhe staliniste propozimin e Alibashës për përjashtimin nga grupi parlamentar. Alibasha i marrë peng me dosje, nënshtrohet verbërisht urdhrave të Lindës dhe Edi Ramës. Çfarë do të thotë kjo, duhet t’ia sqarojmë qytetarëve: si mund të pranohet përjashtimi i katër deputetëve pa asnjë ligj, pa asnjë rregull, pa asnjë gjë.

Sot nuk përjashton dot katër nxënës nga klasa. Kurse këta sillen si banditë, si njerëz që ndajnë flligështinë më të madhe me njëri-tjetrin. Ne do ngrihemi, kjo situatë nuk mund të pranohet. Vijmë te qëndrimi i fundit. Ne paraqitëm kërkesën për debat. Gjëja më normale. Na bllokuan në mënyrën më antiligjore. Për të zevendësuar këtë, tani del interpelanca e Alibashës me padronin e tij. Se i bashkërendojnë. Po kjo është e turpshme. Por ne nuk lëshojmë. Ne kërkojmë me urgjencë debat në parlament për këtë çështje thelbësore.

Me Alibashën të bëjë ç’të dojë Edi Rama. Është e turpshme që ta përdorë dhe diskreditojë në këtë mënyrë. E gjitha u bë për një mocion me debat, tani përpiqet ta kalojë me një interpelancë me Alibashën. Po a do e lëshojmë ne parlamentin? Kurrrë. Ne do bëjmë betejë në parlament që të bindim çdo shqiptar se jemi të gatshëm për çdo sakrificë për të mbrojtur votën e lirë. Nuk e lëshojmë ne parlamentin, të marrin çdo masë, të sillen si të duan. Ne do mbrojmë çdo gjë në interes të shqiptarëve. Ndaj dhe të harrojnë ata se përjashtuan pesë, por ju jeni të tjerë sa 15 më shumë. Ndaj të përgatitet mirë Edi Rama, se lojërat me Alibashën, se keqpërdorimi i Lindës, nuk do ia zgjidhin problemet atij. Ai parlament ka parë të gjitha llojet e kryetarëve, por kurrë një si ajo nuk ka ekzistuar aty. Ndaj dhe mbetet që ne të shumëfishojmë aktivitetin tonë parlamentar dhe të përballemi me këtë bandë, që nuk ka Kushtetutë, nuk ka ligj.

Nesër mbahet seanca plenare dhe deputeti Enkelejd Alibeaj do të zhvillojë një interpelancë me kryeministrin Rama. Vetë Sali Berisha dhe deputetët Belind Këlliçi, Flamur Noka, Edmond Spaho dhe Edi Paloka janë përjashtuar nga Kuvendi seancën e kaluar, pas përplasjeve të forta dhe bllokimit të Foltores. Më herët, Alibeaj bëri me dije se ka përjashtuar nga grupi parlamentar deputetët Oerd Bylykbashi, Belind Këlliçi Agron Shehaj dhe Tritan Shehu, pasi nuk u distancuan nga aktet e dhunës ndaj Partisë Demokratike më 8 janar 2021./Dosja.al

sali berisha berisha mbledh grupin 1 shkurt

Sondazh

Poll