Sport

Superiorja/ Cara humb penallti, Partizani zhgënjen edhe ndaj Egnatias. Erzeni, makthi i Vllaznisë, e mund sërish në “Niko Dovana”

Partizani barazon 1-1 ndaj rrogozhinasve, duke shpërdoruar një mundësi për t’iu afruar me një pikë Tiranës. Shijakasit ia ka marrë dorën shkodranëve, i mundin 3-2

30 Janar 2023, 21:57 Nga DOSJA

Superiorja/ Cara humb penallti, Partizani zhgënjen edhe ndaj Egnatias.

TIRANE - Me dy ndeshjet e mbrëmjes të së hënës, është mbyllur edhe java e 19-të e Abissnet Superiores. Partizani ndalet në shtëpi nga Egnatia, duke shpërdoruar një mundësi të mirë për t’iu afruar me një pikë larg Tiranës që kryeson renditjen. Ndërkohë, në “Niko Dovana”, Erzeni mposht për të dyti Vllazninë, duke treguar se ia ka marrë dorën skuadrës shkodrane, që vuante nga mungesat.

Superiorja/ Cara humb penallti, Partizani zhgënjen edhe ndaj Egnatias.

Të kuqtë e Colellas e nisën vrullshëm takimin dhe kishin një mundësi të shkëlqyer për të kaluar në avantazh me Tedi Carën nga pika e penalltisë në pjesën e parë. Në të 22′, sulmuesi nga Kavaja mori përsipër ekzekutimin e 11-metërshit, por u ndal mjaft mirë nga portieri Alen Sherri.

Pjesa e parë u mbyll në barazim pa gola, ndërsa “Demat” duhet të prisnin minutën e 80-të për të gjetur golin e avantazhit. Engjëll Hoti shënoi për Partizanin. U duk sikur ai ishte goli i fitores për të kuqtë, por Egnatia arriti të barazonte vetëm 7 minuta më vonë. Dwamena vendosi ekuilibrat në 1-1 pas një kontrolli perfekt në zonë dhe shtangu me gjuajtjen në shtyllën e parë portierin Alban Hoxha.

Me këtë barazim, Partizani mbetet në vendin e dytë me 31 pikë ndërsa Egnatia merr një pikë të rëndësishme teksa mban vendin e katërt me 26 pikë.

Superiorja/ Cara humb penallti, Partizani zhgënjen edhe ndaj Egnatias.

Skuadra shijakase e Erzenit fitoi 3-2 në “Niko Dovana” në përballjen e tretë në kampionat, duke marrë plot 7 pikë nga 9 të mundshme ndaj shkodranëve. Dhe ç’është më e rëndësishme, skuadra e drejtuar nga Xhevahir Kapllani shton edhe tri pikë të vyera në renditje, për të mbetur larg zonës së ftohtë. Madje Erzeni parakalon pikërisht Vllazninë në renditje, duke u katapultuar në vendin e tretë, vetëm pesë pikë larg Tiranës kryesuese.

Sa i përket kronikës, shijakasit e zhbllokuan rezultatin në minutën e 2-të falë autogolit të Smajlit, ndërsa në të 34-tën, Patrick Notato thelloi epërsinë në 2-0.

Vllaznia mundi të shkurtonte diferencën me Esat Malën në minutën e 57-të, por shkodranët pësuan të tretin në të 76-tën, po me Notaton që sigloi dygolësh.

Jonuzi rihapi ndeshjen në minutën e 81-të me një goditje nga jashtë zonës, por vetëm kaq, në minutat e mbetura Erzeni u mbrojt me fanatizëm, duke fituar në fund 3-2.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll