Bota

Trazirat mes Izraelit dhe Palestinës/ Apeli i Papës: Spiralja e vdekjes po rritet çdo ditë, këto vende duhet të bëjnë paqe

Papa tha se ishte thellësisht i pikëlluar nga lajmi i palestinezëve të vrarë gjatë operacioneve antiterroriste izraelite si dhe vdekjes së izraelitëve hebrenj nga të shtënat në sinagogë të premten.

29 Janar 2023, 16:22 Nga a.l
Trazirat mes Izraelit dhe Palestinës/ Apeli i Papës: Spiralja e
Papa Françesku

ITALI- Papa Françesku i bëri thirrje sot Izraelit dhe palestinezëve që të hyjnë në dialog në kërkim të paqes, duke shprehur keqardhje për valën e fundit të dhunës në rajon. Duke folur nga Roma pas lutjeve të së dielës, Papa tha se ishte thellësisht i pikëlluar nga lajmi i palestinezëve të vrarë gjatë operacioneve antiterroriste izraelite si dhe vdekjes së izraelitëve hebrenj nga të shtënat në sinagogë të premten, shkruajnë mediat e huaja. 

"Me pikëllim të madh dëgjoj lajmin nga Toka e Shenjtë...Spiralja e vdekjes që rritet çdo ditë nuk bën gjë tjetër veçse vret besimin e vogël që ekziston mes këtyre dy popujve. U bëj thirrje këtyre dy qeverive dhe komunitetit ndërkombëtar dhe U kërkoj atyre që të gjejnë menjëherë, pa vonesë, një kurs tjetër që do të përfshijë dialogun dhe kërkimin e sinqertë të paqes”, tha Papa.

Të paktën 32 palestinezë (përfshirë sulmues, militantë dhe civilë) janë vrarë që nga fillimi i vitit. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u zotua për një përgjigje "të fortë, të shpejtë dhe të saktë" nga Izraeli pas dy sulmeve të kryera dje, të premten dhe dje, të shtunën, nga dy palestinezë të Jerusalemit Lindor. Të premten mbrëma, një palestinez 21-vjeçar hapi zjarr ndaj kalimtarëve pranë një sinagoge në lagjen e vendbanimeve izraelite Neve Yaakov, duke vrarë 7 persona, përpara se të qëllohej nga policia. Të shtunën në mëngjes, një palestinez 13-vjeçar hapi zjarr dhe plagosi dy izraelitë në Siloam, Jerusalemi Lindor. Viti 2022 ishte tashmë viti më vdekjeprurës në Bregun Perëndimor që nga fundi i Intifadës së dytë (kryengritje palestineze nga viti 2000 deri në 2005). Konflikti vrau më shumë se 200 palestinezë dhe të paktën 26 izraelitë vitin e kaluar./ Dosja.al

papa francesku

Sondazh

Poll