Sport

Djokoviç shfajëson babanë për foton me mbështetësit e Putinit: "Ne kurrë nuk do ta mbështesim luftën"

Novak Djokovic vuri në dukje se kishte një keqkuptim dhe shpjegoi se ai është një 'fëmijë i luftës' dhe nuk mund ta mbështeste atë.

28 Janar 2023, 09:57 Nga DOSJA

Djokoviç shfajëson babanë për foton me

AUSTRALI - Novak Djokovic kaloi triumfalisht në finalen e Australian Open, një hap larg titullit të 10-të në Melburn, por në konferencën për shtyp ai u pyet për të atin. Srdjan Gjokovic u fotografua jashtë Rod Laver Arena me katër tifozë, të cilët kishin veshur bluza me simbolin ‘Z’ (duke iu referuar pushtimit rus), flamuj rusë dhe një foto të Vladimir Putin.

Duke folur për këtë çështje, tenisti serb shpjegoi: “Është për të ardhur keq që ky keqkuptim u përshkallëzua kaq shumë. Babai im dhe e gjithë familja ime, si unë, kaluan luftëra në vitet '90. Siç tha edhe ai në deklaratën e tij, ne jemi kundër luftës, nuk do të mbështesim kurrë dhunën apo luftën. Pas çdo ndeshje, babai im del dhe takohet me tifozët e mi, për t'i falënderuar për mbështetjen e tyre dhe për të bërë foto. Ai po kalonte dhe u fotografua. Unë e pashë videon dhe thotë vetëm "cheers" (živeli). Disa media e kanë përkthyer gabim.

Shpresoj që njerëzit të kuptojnë se nuk kishte asnjë qëllim për të mbështetur iniciativat e luftës apo diçka të tillë. Sapo po kalonte aty, kishte shumë flamuj serbë dhe mendoi se po fotografohej me ndonjë sportdashës serb. Nuk është e këndshme të kalosh këtë, pas asaj që ndodhi vitin e kaluar. Nuk është diçka që kam nevojë, kështu që shpresoj që njerëzit ta lënë pas”.

Nole tha gjithashtu se mbështetësit e Putinit përdorën të atin për publicitet, prandaj ai nuk mban mëri ndaj tij, të cilin dëshiron ta ketë në tribunë për finalen: “Ai u përdor nga ky grup. Nuk mund të zemërohem me të, sepse nuk ishte faji i tij. Ai shkoi të festonte me fansat e mi dhe kaq. Pas kësaj ai u ndje keq, sepse e dinte se do të ndikonte tek unë, gjithë ky presion mediatik në 48 orët e fundit. Por kështu është, duhet ta pranosh dhe të vazhdosh përpara”.

B.T (Dosja.al)

 

Sondazh

Poll