Sport

Mbrëmja gala, presidenti Duka: “Sot vlerësojmë kampionët, që janë shembull suksesi e motivim për çdo të ri dhe të re”...

“Jetojmë në një shoqëri ku debatohet shumë, ka përplasje të forta idesh dhe shpesh, tension e konfliktualitet. Por ama ka një vend ku të gjithë i lënë mënjanë ndasitë, e ku bëhen bashkë, burra e gra, të rinj e të reja, të vegjël e të moshuar, të majtë e të djathtë. E ky është futbolli. Sidomos Kombëtarja jonë kuqezi,”- ka deklaruar presidenti Duka në fjalën e tij.

27 Janar 2023, 21:11 Nga DOSJA
Mbrëmja gala, presidenti Duka: “Sot vlerësojmë

TIRANE - Gjatë mbrëmjes gala “Më të Mirët 2022” nuk mund të mungonte edhe një fjalë përshëndetëse e presidentit të FSHF-së, Armand Duka, i cili pasi ka falënderuar të gjithë miqtë për praninë, ka renditur sukseset e mëdha që ka shënuar futbolli shqiptar në vitin që lamë pas.

Numri një i qeverisë së futbollit u shpreh se kjo mbrëmje gala është organizuar me qëllimin për të vlerësuar e stimuluar më të mirët në shumë drejtime, duke besuar se krijojmë modelet frymëzuese që duhet të ndjekin më të rinjtë.

“Loja jonë, padyshim më e bukura në glob, ashtu siç është garë e konkurrencë, është edhe edukim e bashkim. Jetojmë në një shoqëri ku debatohet shumë, ka përplasje të forta idesh dhe shpesh, tension e konfliktualitet. Por ama ka një vend ku të gjithë i lënë mënjanë ndasitë, e ku bëhen bashkë, burra e gra, të rinj e të reja, të vegjël e të moshuar, të majtë e të djathtë. E ky është futbolli. Sidomos Kombëtarja jonë kuqezi.

Pikërisht këto veti magjike e bëjnë lojën tonë më emocionuese, ngarkojnë me përgjegjësi më të madhe të gjithë aktorët”,- tha presidenti Duka, duke renditur më tej disa arritje të rëndësishme siç ishin lançimi i strategjisë “Futbolli për Kombin”, organizimi në Tiranë i një aktiviteti të përmasave ndërkombëtare, finalja e UEFA Conference League në 25 maj, në stadiumin tonë “Air Albania”, inaugurimi i stadiumit “Kukës Arena” në Kukës, apo edhe ndërtimi i shumë fushave të reja futbolli në Durrës, Kukës, Tiranë, Lushnjë, Shkodër, Orikum, Luz, etj.

Presidenti i FSHF-së përmendi edhe inaugurimin e Shtëpisë së Futbollit, një vepër madhore dhe e rëndësishme për infrastrukturën e futbollit në vend, por edhe iniciativa të tjera në kuadër të përgjegjësisë sociale apo edhe bashkëpunimit me institucionet arsimore.

“Sot jemi në një aktivitet që ka një moment falënderimi. Për ata që janë një shembull suksesi, e duhet të jenë po ashtu motivim për çdo të ri e të re, që do të arrijë majat. Janë djem dhe vajza që kanë arritur këtu me punë të madhe, sakrifica të përditshme, me mund e me djersë e duke pasur besimi tek vetja. Cilësi këto që na duhen të gjithëve për të arritur rezultate. Janë cilësi të kampionëve”,- tha ndër të tjera presidenti Duka.

B.T (Dosja.al)

 

Sondazh

Poll