Aktualitet

'Jam i pafajshëm'/ Apeli i GJKKO “rrëzon” kërkesën e ish-shefit të Policisë së Dhërmiut

Bode akuzohet për trafik narkotikësh pasi u akuzua nga ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe më pas nga SPAK për implikim në trafikun e narkotikëve të kryer nga organizata kriminale e drejtuar prej vëllezërve Moisi dhe Florian Habilaj.

27 Janar 2023, 11:43 Nga A.B

'Jam i pafajshëm'/ Apeli i GJKKO “rrëzon”

TIRANË- Apeli i Posaçëm i Gjykatës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rrëzuar kërkesën e ish-shefit të Policisë së Dhërmiut, Sokol Bode që kërkonte pafajësinë. Ai u dënua me 12 vite burg por që iu konvertua në 8 vjet heqje lirie për shkak të gjykimit të shkurtuar.

NJOFTIMI:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Tereza Merkaj (kryesuese), Genti Shala (anëtar) dhe Valdete Hoxha (anëtare), sot më datë 27.01.2023, përfundoi shqyrtimin e çështjes së regjistruar me nr. 14/70 akti, datë 13.10.2022, mbi ankimin e paraqitur nga ankuesi/i pandehuri S.B., kundër vendimit nr. 28, datë 22.04.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar që ka vendosur:
-“1. Deklarimin fajtor të të pandehurit S.B. për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar përkatësisht nga nenet 283/a/1, 28/4, 334/1 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 12 (dymbëdhjetë) vjet burgim.
2. Deklarimin fajtor të të pandehurit S.B. për veprën penale “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 2 (dy) vjet burgim.
3. Në bashkim të dënimeve, bazuar në nenin 55/1 të Kodit Penal, dënimin e të pandehurit S.B., me një dënim të vetëm me 12 (dymbëdhjetë) vjet burgim.
4. Në aplikim të nenit 406 pika 1 të Kodit të Procedurës Penale, uljen e dënimit me 1/3 dhe dënimin përfundimtar të të pandehurit S.B., me 8 (tetë) vjet burgim.
5. Vuajtja e dënimit për të pandehurin S.B. të fillojë nga dita e ekzekutimit të masës së sigurimit “Arrest në burg” të caktuar ndaj tij.
6. Në aplikim të nenit 16, pika 1, gërma “a” të Ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, i ndryshuar, i pandehuri S.B. ta vuajë dënimin në burgun e sigurisë së lartë…”. Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi: – Lënien në fuqi të vendimit nr. 28, datë 22.04.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Bode akuzohet për trafik narkotikësh pasi u akuzua nga ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe më pas nga SPAK për implikim në trafikun e narkotikëve të kryer nga organizata kriminale e drejtuar prej vëllezërve Moisi dhe Florian Habilaj.

Kush është Sokol Bode?

Ai ishte dënuar me 8 vjet burg, pasi akuzohet nga SPAK për implikim në trafikun e narkotikëve të kryer nga organizata kriminale e drejtuar prej vëllezërve Moisi dhe Florian Habilaj. Bode, ish-drejtori i Postës në Dhërmi, ka qenë prej kohësh në vëmendje të publikut dhe medias, pas publikimit të një foto ku shihej përkrah Florian dhe Moisi Habilajt. Bode, bashkë me ish-drejtorin e Policisë së Vlorës, Jaeld Çela si dhe Gjergj Kohila, shefi i sektorit të luftës kundër krimit të organizuar, kanë drejtuar në drejtorinë e Qarkut Vlorë gjatë viteve 2015-2016, ndërsa akuzohen si të përfshirë në dosjen ‘Habilaj’ për trafikun e kanabisit nga Shqipëria drejt Italisë. 

Në 3 shkurt 2019, Prokuroria e Krimeve të Rënda dërgoi në Gjykatën e Krimeve të Rënda dosjen për gjykimin e të pandehurve Saimir Tahiri, Jaled Çela, Gjergji Kohila dhe Sokol Bode, nën akuzën “Trafikimi i narkotikëve”, në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”, si dhe “Kryerjen e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 283/a/1, 28/4, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal. Ndërsa më 10 korrik 2019, gjykata vendosi pezullimin e gjykimit për të pandehurit Sokol Bode dhe Gjergji Kohila pasi nuk ishin gjetur, ndërsa ndau çështjen e tyre nga çështja nga Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela. 

sokol bode

Sondazh

Poll