Aktualitet

'Farmacisti'/ Merrnin 30-50 mijë lekë ryshfet, arrestohen 2 specialistë të Agjencisë së Barnave, njëri djali i ish-prokurorit

Dy personat merrnin ryshfet për përshpejtimin e procedurave të kompanive farmaceutike dhe vendosnin gjoba 30-50 mijë lekë që të mos i ndëshkonin me masa administrative kur i konstatonin me shkelje.

27 Janar 2023, 11:31 Nga A.B
'Farmacisti'/ Merrnin 30-50 mijë lekë ryshfet, arrestohen 2
Policia

TIRANË-Përgjegjësja dhe specialisti i Agjencisë së Barnave janë vënë në pranga ditën e sotme pasi janë të implikuar në skemën e gjobëvënies ndaj farmacive. Personat e arrestuar janë janë Besiana Xhelili, 38 vjeçe, përgjegjëse dhe specialist Luan Çiçi, 35 vjeç, djali i ish-prokurorit Bujar Çiçi.

Ata merrnin ryshfet për përshpejtimin e procedurave të kompanive farmaceutike dhe vendosnin gjoba 30-50 mijë lekë që të mos i ndëshkonin me masa administrative kur i konstatonin me shkelje. Policia ka shpallur në kërkim kolegun e tye, specialistin Armando Luka.

NJOFTIMI I POLICISË:

Finalizohet si rezultat i një hetimi disamujor të ndjekur me metoda proaktive, operacioni policor i koduar “Farmacisti”, për gjurmimin dhe goditjen e rasteve të korrupsionit dhe të shpërdorimit të detyrës. Operacioni, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës. Shpërdoruan detyrën dhe morën para, për të mos raportuar shkeljet që kryheshin nga subjektet farmaceutike ku ata ushtronin kontroll, vihen në pranga 2 shtetas dhe shpallet në kërkim 1 tjetër.

Të arrestuarit, përgjegjësja dhe specialisti i Agjencisë së Barnave, ndërsa i shpalluri në kërkim, një tjetër specialist i kësaj agjencie.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, si rezultat i një hetimi disamujor, të ndjekur me metoda proaktive, me qëllim konstatimin e rasteve të korrupsionit dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorëve të tyre, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar "Farmacisti".

Si rezultat i këtij operacioni, u vunë në pranga shtetasit:

- B. Xh., 38 vjeçe, banuese në Tiranë, përgjegjëse e Agjencisë së Barnave;
- L. Ç., 35 vjeç, banues në Tiranë, specialist i Agjencisë së Barnave.

Gjithashtu, në vijim të veprimeve hetimore-procedurale për këtë rast, u shpall në kërkim shtetasi A. L., 28 vjeç, specialist i Agjencisë së Barnave.

Nga veprimet hetimore të kryera në kuadër të operacionit “Farmacisti”, ka rezultuar se këta shtetas, në cilësinë e punonjësve të Agjencisë së Barnave, ushtronin kontrolle në subjekte të ndryshme farmaceutike dhe duke shpërdoruar detyrën, merrnin shuma parash, për të mos raportuar shkeljet ligjore që kryheshin nga këto subjekte. Vijon puna për kapjen e shtetasit A. L., si dhe për evidentimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

armando luka besiana xhelili luan cici bujar cici

Sondazh

Poll