Politike

(VIDEO) 'Personi A'&'Personi B'/ Rama: Nezajn e njoha përmes agjentit të FBI-së, i afërt me Azem Hajdarin. Duçka ka punuar pa pagesë për mua

Tregon si i njohu dhe çfarë e lidh me ta.

25 Janar 2023, 17:47 Nga F.M
(VIDEO) 'Personi A'&'Personi B'/ Rama: Nezajn e njoha
Edi Rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka sqaruar se si është njohur me 'Personin A' dhe 'Personin B', që janë përkatësisht Agron Nezaj dhe Dorian Duçka dhe dalin të lidhur me ish-agjentin e FBI-së Charles McGonigal, në dosjen hetimore. Në një prononcim për mediat, pas mbledhjes me drejtuesit e qarqeve, Rama tha se Nezajn e ka njohur përmes McGonigal dhe e përshkroi si një njeri nga Tropoja e mik me të ndjerin Azem Hajdari, duke e 'faturuar' si të afërt me Partinë Demokratike. Ndërsa për Duçkën tha atë që tashmë dihet publikisht, që ka qenë zëvedësministër në kohën e koalicionit Rama-Meta, por shtoi se për të ka punuar si konsulent pa pagesë. 

Pjesë nga fjala e Ramës: 

Gjithashtu në aktakuzë përmendet fakti që informacioni ka dalë nga zyra e kryeministrit, pra është një person i cili ka gjetur këtë informacion për të nisur një hetim për lobimin e opozitës.

Edi Rama: Edhe njëherë tjetër. Përfundimet e hetimit dhe fillimi i fazës tjetër të procesit ku hetuesit amerikanë kanë dorëzuar dosjen e hetimit të tyre nuk ka asgjë nga ato që thoni ju, absolutisht asnjë konkluzion. Përmendjet lexojini mirë sepse aty nuk përmendet absolutisht një gjë e tillë; aty thuhet se çfarë thotë njëri dhe çfarë thotë tjetri ndërkohë që vetë hetuesit thonë një gjë tjetër; që hetimet kanë përfunduar, ka një të akuzuar për mosdeklarim dhe konflikt interesi në raport me shokun e tij shqiptaro-amerikan nga Tropoja, të cilin unë e kam njohur në takimin me të dhe me të cilin nuk kam pasur asnjë lloj lidhje tjetër përveç këtij raporti miqësor dhe këtyre shkëmbimeve krejtësisht pa asnjë interes tjetër me zyrtarin e lartë të FBI-së.

 - Zoti kryeministër, pse zoti Agron Neza dhe Dorian Ducka nuk kanë punuar ndonjëherë për ju as në vitin 2017-2018?

Kryeministri dhe Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama: Fola për zotin Agron, i cili e përsëris, vjen nga Lëvizja Demokratike, shumë i afërt i të ndjerit Azem Hajdari, fis me Besnik Mustafain, njerëz të nderuar padiskutim, të cilin nuk e kam njohur më parë asnjëherë dhe me të cilin nuk kam shkëmbyer as letra, as interesa dhe asnjë gjë tjetër por e kam takuar vetëm në praninë e zyrtarit të lartë të FBI-së. Përsa i përket personit tjetër, ka qenë zëvendës ministër i Energjetikës në koalicionin e vitit 2013 dhe pastaj për njëfarë kohe ka punuar pranë meje pa pagesë.

Reagimi i Ramës vjen një ditë pas publikimit të dosjes së plotë dhe aktakuzës me 9 pika që FBI ka kopsitur për ish-agjentin dhe shefin e kundërzbulimit të FBI, Charles McGonigal. Faqet e dosjes tregojnë shumë për zhvillimet politike të 5 viteve të fundit edhe në Shqipëri, ku protagonist është kryeministri Edi Rama dhe lufta e tij kundër opozitës. McGonigal ka zhvilluar takime të njëpasnjëshme me kryeministrin Edi Rama dhe dy persona që në dosje emërtohen si ‘Personi A’ dhe ‘Personi B’, që janë përkatësisht Agron Nezaj e Dorian Duçka, të dy të lidhur me qeverinë shqiptare. Nezaj del në dosje si njeriu që i jep 225 mijë dollarë McGonigal në mënyrë që të ndërhyjë në FBI që të nisë hetimin për personin që po lobonte në SHBA për PD-në, në vitin 2017 kur drejtohej nga Lulzim Basha. Supozohet që bëhet fjalë për Nicolas (Nick) Muzin. Ndërsa Duçka del si njeriu që e shoqëron kudo ish-agjentin, paguan fluturimet e akomodimet e tij, si dhe i përcjell informacionet e nevojshme që do t’i shërbenin në nisjen e hetimit nga FBI./Dosja.al

edi rama charles mcgonigal arrestohet charles mcgonigal

Sondazh

Poll