Aktualitet

Vodhën banesën e Alda Klosit/ Mbi 400 mijë euro ende pa pronar, Apeli lë në burg Rozeta dhe Havier Dobin

Rozeta Dobi ka pranuar se paratë janë marrë nga ajo dhe se i biri nuk ka lidhje me këtë ngjarje.

25 Janar 2023, 12:01 Nga A.B
Vodhën banesën e Alda Klosit/ Mbi 400 mijë euro ende pa pronar,
Rozeta dhe Havier Dobi

TIRANË- Gjykata e Apelit ka lënë në burg, Rozeta dhe Havier Dobin, të cilët akuzohen për vjedhjen e 120 mijë eurove në banesën e Alda Klosit, ish-shefes së kabinetit të ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj. Nënë e bir kryen vjedhje edhe në banesa të tjera, ku ishte punësuar për të pastruar Rozeta.

Havier Dobi kërkoi një masë më të butë, arrest shtëpie ose detyrim paraqitje, por kjo nuk u pranua nga gjykata. I riu ka theksuar se nuk ka lidhje me grabitjen e parave dhe gjithçka është bërë nga nëna e tij. Rozeta Dobi ka pranuar se paratë janë marrë nga ajo dhe se i biri nuk ka lidhje me këtë ngjarje.

Ende kanë mbetur pa pronar 400 mijë euro që u gjetën në tubin e aspiratorit në shtëpinë e pastrueses. Edhe pse kanë kaluar më shumë se 20 ditë, nënë e bir nuk tregojnë se kujt i përkasin këto para. 

Prokuroria e Tiranës kërkoi nga Policia Shkencore të bëjë verifikimet për kartëmonedhat dhe po ashtu të kontrollohen disa banesa. Pritet ende përgjigje nga bankat e nivelit të dytë, për të parë nëse e dyshuara dhe i biri kanë llogari bankare dhe sa është shuma në këto llogari. Informacion është kërkuar edhe në Kadastër, për llogaritë bankare dhe pasuritë që zotëron Alda Klosi, por edhe zyrtarë të tjerë në shtëpitë e të cilëve punonte si pastruese Dobi.

Havier Dobi shfaqte luks në rrjetet sociale, pasi kishte shpenzuar shuma të mëdha parash nga ato që kishin vjedhur në banesat e zyrtarëve. 49-vjeçarja është e vetmja që mund të hedhë dritë mbi misteret e kësaj ngjarjeje dhe të sqarojë se kush është pronari i shumës së majme, por ajo ka refuzuar të flasë.

Vjedhja e shtëpisë së Alda Klosit ndodhi më 15 dhjetor dhe u pikas nga vajza e ish-zyrtares, pasi Rozeta Dobi dhe djali i saj Havieri kishin hapur derën me forcë dhe e kishin inskenuar si grabitje. Por, kamerat e sigurisë zbuluan gjithçka./Dosja.al

rozeta dobi haver dobi

Sondazh

Poll