Politike

Për kë loboi Rama? Gazetarja e VOA: Lidhja me ish-zyrtarin e arrestuar të FBI, për herë të parë erdhi në 2007 në Shqipëri

Sipas Kostrecit rezulton se që nga vizita e parë në vitin 2007-2008, ish-zyrtari ka ardhur disa herë në Shqipëri ku është takuar me kryeministrin Edi Rama.

24 Janar 2023, 23:27 Nga F.M
Për kë loboi Rama? Gazetarja e VOA: Lidhja me ish-zyrtarin e arrestuar
Keida Kostreci

TIRANË- Gazetarja e Zërit të Amerikës, Keida Kostreci tha se aktakuza ndaj ish-zyrtarit të FBI Charles McGonigal është bërë nga këndvështrimi i departamentit të drejtësisë për shkeljet që ka bërë agjenti i FBI duke përzierë, gjatë kohës kur ishte ende në detyrë, publiken me privaten. Në një prononcim për emisionin Now në Euronews Albania, Kostreci shpjegoi se nga zbërthimi që i është bërë aktakuzës, lidhja e parë e ish-zyrtarit me Shqipërinë është shtetasi shqiptaro-amerikan Agron Nezaj.

Sipas Kostrecit rezulton se që nga vizita e parë në vitin 2007-2008, ish-zyrtari ka ardhur disa herë në Shqipëri ku është takuar me kryeministrin Edi Rama.

“Këto vizita në Shqipëri ish-zyrtari i FBI s’i ka raportuar, që konsiderohet mashtrime dhe fakti që edhe në Shqipëri edhe në Kosovë ai ka dhënë suvenire të FBI është cilësuar përzieje e publikes dhe privates. Ka shkelur rregullat e FBI. Po të shtosh edhe pagesat që ka marrë nga Neza, ai ka shfrytëzuar postin publik për çështje private që është në shkelje të ligjit të FBI”, tha Kostreci.

Dosja.al ka siguruar dosjen e plotë lidhur me prangosjen e Charles McGonigal, ish-agjentit të FBI-së që është nën akuzë për korrupsion. Faqet e dosjes tregojnë shumë për zhvillimet politike të 3-4 viteve të fundit edhe në Shqipëri, ku protagonist është kryeministri Edi Rama dhe lufta e tij kundër opozitës. McGonigal ka zhvilluar takime të njëpasnjëshme me kryeministrin Edi Rama dhe dy persona që në dosje emërtohen si ‘Personi A’ dhe ‘Personi B’, që janë përkatësisht Agron Nezaj e Dorian Duçka, të dy të lidhur me Ramën. Nezaj del në dosje si njeriu që i jep 225 mijë dollarë McGonigal në mënyrë që të ndërhyjë në FBI që të nisë hetimin për personin që po lobonte në SHBA për PD-në, në vitin 2017 kur drejtohej nga Lulzim Basha. Supozohet që bëhet fjalë për Nicolas (Nick) Muzin. Ndërsa Duçka del si njeriu që e shoqëron kudo ish-agjentin, paguan fluturimet e akomodimet e tij, si dhe i përcjell informacionet e nevojshme që do t’i shërbenin në nisjen e hetimit nga FBI. Vetë Rama thotë se akuzat e ngritura ndaj McGonigal nuk kanë lidhje me të.

keida kostreci charles mcgonigal arrestohet charles mcgonigal

Sondazh

Poll