Sport

Atletika Ndërkombëtare synon të forcojë kriteret e pranimit për transgjinorët…

Federata Ndërkombëtare e Atletikës (IAAF), mund të ndryshojë kriteret e garimit për atletët interseks dhe transgjinorë, tha ajo në një deklaratë të hënën.

24 Janar 2023, 21:12 Nga DOSJA
Atletika Ndërkombëtare synon të forcojë kriteret e pranimit
Caster Semenya, atletja interseks e Afrikës së Jugut

FRANCA - Federata Ndërkombëtare e Atletikës po planifikon të forcojë dhe konsolidojë kriteret e pranimit në kategorinë e femrave për atletet interseksualë dhe transgjinorë, të cilëve nuk ua mbyll plotësisht derën, duke synuar një vendim përfundimtar në muajin mars, tha institucioni përmes njoftimit për shtyp.

‘World Athletics’ ka nisur një proces konsultimi me federatat e saj anëtare për këtë temë, me një opsion prioritar: "të modifikojë kërkesat e përshtatshmërisë për DSD (ndryshimi në zhvillimin seksual) dhe atletët transgjinorë duke kërkuar një ulje të vazhdueshme të niveleve të testosteronit nën 2.5 nmol/L për të paktën njëzet e katër muaj.”

“Diskutimi konstruktiv nuk do të thotë se ky opsion, i paraqitur në Këshill, për rrjedhojë edhe do të miratohet”, në mars dëshiron të saktësojë Federata Ndërkombëtare.

Rregullat aktuale kërkojnë që atletët transgjinorë, që dëshirojnë të marrin pjesë në kategorinë e femrave duhet të mbajnë nivelet e tyre të testosteronit nën pragun prej 5 nmol/L për dymbëdhjetë muaj. Atletët interseks, për shembull emblematikja e Afrikës së Jugut Caster Semenya, duhet që që nga prilli 2018 të ruajnë nivelet e testosteronit nën pragun prej 5 nmol/L për gjashtë muaj, për të marrë pjesë në gara që variojnë nga 400 m deri në një milje (1.609 m).

Kjo rregullore ishte denoncuar nga Semenya, kampione e dyfishtë olimpike në 800 m, e cila refuzon të zbatojë trajtimin hormonal ose një operacion, por që kishte humbur ankesat e paraqitura veçanërisht në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS).

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) u kishte kërkuar federatave sportive në nëntor 2021 që të vendosnin kriteret e tyre për të lejuar transgjinorët dhe personat interseks të konkurrojnë në nivele të larta.

Që atëherë, Unioni Ndërkombëtar i Çiklizmit (UCI) ka miratuar rregullore ekuivalente me ato të "opsionit prioritar" aktual të atletikës. Federata Ndërkombëtare e Notit (FINA) kufizoi aksesin në kategoritë e saj të femrave në qershor 2022 për notarët “që u bënë femra para pubertetit”.

Presidenti i Atletikës Botërore, Sebastian Coe, përshëndeti vendimin e FINA-s në atë kohë, duke thënë se nëse detyrohet të zgjedhë midis "drejtësisë" dhe "përfshirjes", ai "do të ishte gjithmonë në anën e drejtësisë", për të mbrojtur integritetin e sportit të femrave.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll